Kontrollet e ISHSH në zonat turistike – Deda: 12 gjoba, bizneset të pajisen me dokumentacion
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka marrë 12 masa administrative gjatë kontrolleve të ushtruara në zonat turistike, ndërkohë që kryeinspektori, Eltar Deda u ka bërë thirrje subjekteve të pajisen me dokumentacionin e nevojshëm, në mënyrë që të mos penalizohen.
Inspektorati Shtetëror Shëndetësor ka kryer 1500 inspektime shëndetësore dhe higjieno-sanitare gjatë sezonit turistik, ndërkohë që janë marrë 12 masa administrative për periudhën kohore 1 prill-15 korrik.
Sipas kryeinspektorit, Eltar Deda monitorimet kanë përfshirë të gjitha subjektet turistike, restorantet dhe strukturat akomoduese, ndërkohë që kontrollet janë shtrirë jo vetëm në zonat bregdetare, por edhe në ato zona ku ka turizëm malor.
“Garantimi për një sezon turisitik sa më të shëndetshëm dhe sa më të pastër higjienikisht na bën që të gjithë trupat inspektuese të ISHSH të jenë në të gjithë territorin e vendit, atje ku ka destinacione turistike, jo vetëm në breg të detit por edhe në vendet të tjera. Inspektimet konsistojnë në pjesën e të gjithë atyre subjekteve që ofrojnë shërbime. Janë në fokus të inspektimeve tona të gjitha baret, restorantet, subjektet akomoduese dhe në të njëjtën kohë ajo që është më e rëndësishme, ujësjellësat si subjekte të rëndësisë të veçantë”.
Gjatë vëzhgimit të masave të marra në terren, Deda u ka bërë thirrje të gjithë subjekteve, që të pajisen me dokumentacionin e nevojshëm, në mënyrë që të mos penalizohen.
“Po kështu përkujdesja dhe vëmendja kryesore në derdhjen e ujërave të zeza kryesisht në zonën bregdetare ose atje ku ka turizëm malor ku duhet me se s’bën që çdo subjekt që e aplikon me gropa septike, të disponojë pranë trupave inspektuese shtetërore të shëndetësisë edhe dokumentin tërheqës që vërteton se ky subjekt e ka tërhequr atë.
Iu bëj thirrje edhe subjekteve të mirëkuptojnë që i gjithë dokumentacioni ligjor, i cili është i detyrueshëm, duhet të jetë prezent”.
Ndërkaq, Inspektoratit Shtetëror Shëndetësor fton të gjithë qytetarët të bashkëpunojnë me të, duke denoncuar çdo rrezik të shëndetit publik në numrin pa pagesë 0800 40 40 ose në portalet “Stop Korrupsionit” dhe “Komisariati Dixhital”.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.