Kontrollet tatimore – Ago: Prioritet tregtia dhe qarkullimi i mallrave
Një ndër sektorët më me risk të lartë për nivel të lartë të evazionit fiskal është cilësuar prej vitesh tregtia. Tashmë nëpërmjet një plani masash operacionale, Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve do të nisë kontrollet të të gjitha njësitë e shitjes me shumicë dhe pakicë. Drejtore e kontrollit të Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Iris Ago, u shpreh se krahas pikave të shitjes, objekt kontrolli do të jetë dhe qarkullimi i mallrave nëpërmjet automjeteteve.
“Strukturat e hetimit tatimor do të nisin një sërë verifikimesh intensive në territor ku do të përfshihen tregjet e mallrave industriale dhe atyre ushqimore, njësitë e shitjes dhe magazinimit me pakicë dhe me shumicë dhe gjithashtu kontrolle do të ketë në të gjitha akset kryesore ku do të verifikohet lëvizja e mallrave, pra nëse ato janë të shoqëruara me faturë ose jo, si dhe njëkohësisht edhe transporti i udhëtarëve.”
Sipas Agos, këto kontrolle do të shtrihen në të gjithë vendin, ndërkohë që mbajtja e rregullt e dokumentacionit që do tu verifikohet këtyre bizneseve do të shkurtojnë ndjeshëm edhe kohëzgjatjen e verifikimeve, që shkon në dobi të kohës efektive të punës së dyanshme.
Vjoleta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.