Kontrollohen mbi 9200 pasagjerë! Koronavirusi, Ministria e Shëndetësisë: Asnjë rast i konfirmuar në Shqipëri
Mbi 9200 pasagjerë të ardhur nga vende me transmetim komunitar, ku futet dhe Italia janë kontrolluar gjatë 48 orëve të fundit, pas shtimit të rasteve me kornavirusin COVID 19 në shtetin fqinj.
Ndërkohë që, sipas të dhënave zyrtare në Shqipëri nuk ka asnjë rast të konfirmuar dhe se 8 rastet e dyshuar kanë rezultuar negativë.
Të dhënat janë bërë publike në komunikimin e përditshëm të Ministrisë së Shëndetësisë nga përfaqësuesit e Task-Forcës.
“Deri në këto momente nuk ka asnjë rast të konfirmuar me COVID 19, deri në mbremjen e djeshme janë testuar në total 8 raste të dyshuar që kanë patur histori udhëtimi me vendet e prekura nga koronavirusi dhe kanë rezultuar negativ nga testimi në Laboratorin e Virologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.
Theksojmë se diagnoza e plotë e COVID 19 kryhet pranë Laboratorit të Virologjisë, i vetmi në vend i çertifikuar nga OBSH” tha Eugena Tomini, Drejtuese e Shërbimit të Inteligjiencës Epidemiologjike Përfaqësuesja e Task-Forcës ripërsëriti apelin për të gjithë qytetarët për të respektuar masat higjieno-sanitare.
“Është shumë e rëndësishme që të qytetarët të marrin masa të shtuara higjieno-sanitare: Që nga larja e shpeshtë e duarve, përdorimi i një shamie letre ose grushtit të brrylit kur teshtin dhe jo duart, minimizimi i prekjes me dorë të hundës, gojës dhe syve si dhe përdorimi i maskave vetëm në rastet kur jeni të sëmurë apo ndihmoni njerëz që janë të sëmurë.
Nuk rekomandohet përdorimi i maskave për pjesën tjetër të qytetarëve” deklaroi ajo. Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe Task Forca për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së koronavirusit të ri rekomandon të gjithë qytetarët që kanë udhëtuar nga vendet e prekura, të telefonojnë në numrin e Urgjencës Kombëtare 127 në rast të shfaqjes së cdo shqetësimi apo shenje klinike, pa u drejtuar menjëherë në spital.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.