Kopshti botanik dhe zoologjik, Veliaj: Në buxhetin e ardhshëm nis financimi me faza

Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rehabilitimi i kopshtit botanik dhe atij zoologjik, me pasuri speciesh e me standarde evropiane kujdestarie.
Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj Bashkia po përgatitet që në buxhetin e ardhshëm të nisë financimin me faza të këtij projekti.
Gjatë fjalës së tij, Veliaj garantoi se Kopshti Zoologjik do të vijojë të jetë i hapur edhe gjatë kryerjes së punimeve. Veliaj shtoi se do të nisë puna edhe për studimin e kafshëve dhe të shpendëve, të cilët do të pasurojnë edhe më tej faunën e Kopshtit të ri Zoologjik.
“Do të anëtarësohemi në Organizatën Europiane të Kopshteve Zoologjike dhe Akuariumeve. Do të kemi më shumë kafshë, më shumë specie dhe shumë aktivitete. Ky vit duhet të jetë viti i planifikimit, nga niveli i masterplanit, në nivel më të detajuar. Pastaj, do të fillojmë kontaktet me kopshtet e tjera zoologjike sepse transporti i kafshëve të gjalla, sidomos i atyre ekzotike, është një proces që rakordohet muaj dhe vite në kohë”, u shpreh ai.
Kreu i bashkisë bëri një apel edhe për ato familje të cilat planifikojnë që të blejnë një kafshë shtëpiake të mos i lënë në rrugë pasi kjo kthehet ne kosto për bashkinë.
Sipas Veliajt Bashkisë së Tiranës i kushton 50 euro procesi i hospitalizimit, sterilizimit, vaksinimit vetëm për një qen rruge.
“Një nga problemet tipike që ne kemi në Tiranë, është trajtimi i kafshëve. Njerëzit duan të marrin një kafshë, të marrin një qen në shtëpi, shkojnë e blejnë me qejfin më të madh për ditëlindjen e djalit ose të vajzës, por zbulojnë pastaj që nuk e mbajnë dot dhe e lëshojnë në rrugë. Sigurisht, ne do të bëjmë maksimumin, por kjo ka një kosto. Bashkisë së Tiranës i kushton 50 euro procesi i hospitalizimit, sterilizimit, vaksinimit të një qeni rruge. Kështu që do t’ju lutesha atyre që përpara se të bënin blerje të tilla, t’i bëni llogaritë mirë, a mund ta mbajnë një kafshë në shtëpi”, theksoi Veliaj.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.