Korea e Jugut mbi kriptovalutat – Nuk planifikon mbylljen e bursave, qetëson investitorët
Ministri i Financave në Korenë e Jugut, Kim Dong-yeon, tha se Qeveria nuk po planifikon të mbyllë tregtinë e kriptovalutave, duke sjellë lajme pozitive për investitorët që shqetësoheshin për mbylljen e platformave të monedhave virtuale. Komentet e tij vijnë ndërkohë që investitorët brenda dhe jashtë vendit kanë qenë të shqetësuar nga komentet e zyrtarëve të Qeverisë, se Seuli po planifikon të ndalojë bursat lokale të monedhave virtuale.
“Nuk synohet të ndalohet apo pezullohet tregu i kriptovalutave”, bëri të ditur ministri i Financave, duke shtuar se detyra e qeverisë është vendosja e bursave brenda kuadrit rregullator. Duke përforcuar qasjen e vendit për të ndrequr tregun që shihet si i rrezikshëm nga politikëbërësit në të gjithë botën, doganat në vend lajmëruan se kanë zbuluar tregti të jashtëligjshme në këmbim valutor duke përdorur kriptovaluta dhe prekur një vlerë prej 600 milionë dollarë.
Më herët gjatë muajit, zyrtarët në Seul thanë se po konsiderojnë mbylljen e bursave lokale të kriptovalutave, gjë që e turbulloi tregun dhe solli rënien e madhe të Bitcoin.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.