Korea e Veriut me flamur të bardhë – Kim Jong Un: S`ka më kuptim programi bërthamor, synojmë rritjen ekonomike
Korea e Veriut do të ndalojë testet bërthamore dhe programin e armatimit. Këtë e ka deklaruar vetë lideri i vendit më të izoluar të botës gjatë punimeve të Kongresit të Partisë së Punës.
Lajmi ka shkaktuar jehonë në çdo cep të globit. Mësohet se Kim Jong Un, është shprehur se ky program nuk ka më kuptim, dhe se do të zëvendësohet me një program që nxit rritjen ekonomike dhe paqen. Me shumë gjasa do të vijë edhe fundi i luftës mes dy Koreve që zgjat që prej vitit të largët 1953, duke i dhënë të gjithë botës më në fund një frymëmarrje të qetë. Korea e Veriut ka qenë vazhdimisht një ndër kërcënimet më të mëdha të paqes nëpër botë që pas Luftës së Dytë Botërore.
Lajmin e ka njoftuar vetë televizioni shtetëror i Koresë së Veriut, dhe vjen pak kohë përpara samitit me Korenë e Jugu dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kim Jong Un do të takohet me liderët e të dy vendeve. Kthesa vjen gjithashtu vetëm pak kohë pas vizitës së numrit një të CIA-s në vend.
Korea e Veriut kërkon kështu të krijojë një ambient të jashtëm të favorshëm për të zhvilluar ekonominë e saj, çka përkthehet edhe në heqje të sanksioneve ndërkombëtare që e kanë shkatërruar ekonominë e saj. Donald Trump ka përshëndetur menjëherë këtë lajm. Gjatë javës pritet që tregjet të reagojnë pozitivisht ndaj këtyre zhvillimeve historike.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.