Koreja e Veriut ndalon të qeshurën dhe konsumin e alkoolit për 11 ditë – Urdhërime të tjera gjithashtu janë bërë të ditura për qytetarët
Qeveria e Koresë së Veriut ka ndaluar qytetarët të qeshin apo të konsumojnë alkool për 11 ditë për të shënuar dhjetëvjetorin e vdekjes së ish-liderit Kim Jong Il.
Qytetarët janë urdhëruar që të mos tregojnë asnjë shenjë lumturie derisa Koreja e Veriut përkujton vdekjen e liderit të ndjerë, raporton Daily Mail.
Sundimtari i ndjerë ishte në krye të punëve për 17 vjet nga 1994 deri në 2011 kur vdiq dhe më pas u pasua nga djali i tij i tretë dhe më i vogël, Kim Jong Un.
Në përkujtim të vdekjes së tij, koreano-veriorëve u është thënë të respektojnë periudhën 11-ditore të zisë, ku nuk u lejohet të qeshin apo të pinë alkool.
Burimi shtoi se koreano-veriorët nuk lejohen të bëjnë pazare ushqimore më 17 dhjetor, përvjetorin e vdekjes së Kim Jong Il.
Burimi i cili kërkoi anonimitetin shtoi: “Në të kaluarën, shumë njerëz që u kapën duke pirë ose duke u dehur gjatë periudhës së zisë u arrestuan dhe trajtoheshin si kriminelë ideologjikë. Ata u morën dhe nuk u panë më.
“Edhe nëse familja juaj vdes gjatë periudhës së zisë, nuk ju lejohet të qani me zë të lartë dhe trupi duhet të nxirret jashtë pasi të ketë mbaruar. Njerëzit nuk mund të festojnë as ditëlindjet e tyre nëse bien në periudhën e zisë.”
Pas 17 vitesh të gjata diktature brutale dhe represive, Kim Jong Il ndërroi jetë nga një atak në zemër më 17 dhjetor 2011 në moshën 69-vjeçare.
Ndërsa periudha e zisë që mbahet çdo vit për Kim Jong Il është zakonisht 10 ditë, këtë vit do të jenë 11 ditë për të shënuar dhjetëvjetorin e vdekjes së tij.
Një tjetër burim, një banor i provincës jugperëndimore të South Hwanghae, tha se oficerëve të policisë iu tha të vëzhgonin njerëzit që nuk duken të mërzitur siç duhet gjatë periudhës së zisë.
Burimi i tha radiostacionit: “Nga dita e parë e dhjetorit, ata do të kenë një detyrë të veçantë për të goditur ata që dëmtojnë disponimin e zisë kolektive.
”Është një detyrë e veçantë njëmujore për policinë. Kam dëgjuar që zyrtarët e rendit nuk mund të flenë fare.’
Gjithashtu, burimi vuri në dukje se grupet e qytetarëve dhe kompanitë shtetërore janë urdhëruar të kujdesen për ata që janë në varfëri gjatë periudhës së zisë, pasi vendi po përballet me krizën ushqimore.
“Duhet të sigurohet rendi dhe siguria shoqërore, ndaj kompanitë janë përgjegjëse për mbledhjen e ushqimit për t’u dhënë banorëve dhe punonjësve që nuk mund të vijnë në punë për shkak të mungesës së ushqimit.
Banori që kërkoi anonimitetin shtoi se zia për Kim Jong Il dhe babanë e tij Kim Il Sung po ndikon në jetën e përditshme të Koresë së Veriut.
“Unë vetëm shpresoj që periudha e zisë për Kim Jong Il të shkurtohet në një javë, ashtu si periudha e zisë për Kim Il Sung.
“Banorët ankohen se të gjallët janë të detyruar të vajtojnë deri në vdekje për këta dy të vdekur.”
Tre breza të familjes Kim kanë sunduar Korenë e Veriut që kur Kim Il Sung themeloi vendin në vitin 1948. Kur Kim Il Sung vdiq në vitin 1994, djali i tij i madh, Kim Jong Il, trashëgoi pushtetin.
Kim Jong Un është djali i tretë dhe më i vogël i Kim Jong Il dhe mori pushtetin pas vdekjes së babait të tij në 2011.
Për të përkujtuar dhjetëvjetorin e vdekjes së Kim Jong Il, provinca të ndryshme në të gjithë Korenë e Veriut po mbajnë ekspozita të fotografive të tij dhe po mbajnë koncerte në kujtim të tij.
Koreja e Veriut është nën grupe të shumta sanksionesh ndërkombëtare për armët e saj bërthamore dhe programet e raketave balistike, dhe si rezultat, pësoi mungesa kronike të ushqimit.
Vendi po përballet me krizën e tij më të keqe ekonomike prej vitesh, e goditur si nga sanksionet ashtu edhe nga bllokada e vetë-imponuar e koronavirusit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.