Koronavirusi/ Çfarë nënkupton “gjendja e emergjencës globale” e shpallur nga OBSH?!
Sapo është zyrtarizuar gjendja e “urgjencës së shëndetit publik me interes ndërkombëtar” që do të thotë se situata është serioze dhe kërkon veprim të koordinuar në të gjithë botën, por nuk ka asnjë arsye për panik, pasi kjo ka ndodhur 6 herë që nga viti 2009.
Vendimi zyrtar u mor në 30 janar, pas më shumë se 5 orë bisedimesh në sallën e bordit: sipas Organizatës Botërore të Shëndetit (OBSH), tani ekzistojnë kushtet për të deklaruar zyrtarisht që koronavirusi 2019-nCoV përfaqëson një “urgjencë të shëndetit publik me interes ndërkombëtar ”, ose me pak fjalë një “emergjencë globale”.
Koncepti i emergjencës globale sipas OBSH
Siç ka shkruar vetë Organizata në minutat e fundit të këshillit të mbajtur dje në Gjenevë, pasoja kryesore e kësaj urgjence zyrtare është publikimi i një serie rekomandimesh të përkohshme, pjesërisht specifike për Kinën dhe pjesërisht të vlefshme për të gjitha vendet në nivel global. Shumë nga këto masa kanë për qëllim transparencën, shkëmbimin e informacionit me vendet e tjera dhe krijimin e kulturës shëndetësore me informacion të përshtatshëm të publikut, por në të njëjtën kohë indikacione të tjera që sugjerojnë intensifikimin e përpjekjeve në kërkimin shkencor, në operacionet e kontrollit të kontaminimit dhe në kryerjen e kontrolleve, veçanërisht në porte dhe aeroporte.
Parë nga një këndvështrim historik (afatshkurtër), deklarata globale e urgjencës nuk është as unike, as e jashtëzakonshme. Vetëm nga viti 2005, kur Rregulloret Ndërkombëtare të Shëndetit (Ihr) u hartuan pas pandemisë SARS, ne jemi tashmë në rastin e gjashtë, që merret një vendim i ngjashëm. Rasti i parë ishte në vitin 2009 me të ashtuquajturin grip derri H1N1, pastaj në 2014 me poliomielit, përsëri në 2014 dhe më pas në 2019 me ebola, në mes në 2015 me Zika dhe më në fund tani me 2019-nCoV. Në një rast tjetër nuk u shpall gjendja e emergjencës në rastin e një patologjie tjetër pikërisht të koronavirusit Mers në 2013.
Çfarë do të ndodhë tani?
Ajo që nuk do të ndodhë, ose të paktën OBSH sugjeron dhe shpreson se nuk do të ndodhë, është margjinalizimi i vendeve të prekura nga infektimi, duke filluar nga Kina e para. Arsyeja kryesore është se nuk ka prova që parandalimi i lëvizjes së njerëzve është i dobishëm në zvogëlimin e përhapjes apo kontaminimit, dhe se ndonjëherë edhe bllokimi i transportit mund të largojë burimet nga ndërhyrjet më të dobishme, si dhe sigurisht që ka një efekt negativ në ekonomi. Kufizimet e tregtisë gjithashtu “nuk rekomandohen”. Një përjashtim, shpjegon shënimi i lëshuar nga OBSH, janë vendet ku transmetimi i virusit është veçanërisht intensiv, ose zonat ku infrastruktura dhe sistemet nacionale nuk janë zhvilluar aq sa duhet.
Duke pasur parasysh përparimin shkencor të bërë javët e fundit, sipas komisionit “është ende e mundur të ndalohet përhapja e virusit”. Konkretisht bëhet fjalë për zhvillimin e sistemeve për diagnostikimin e hershëm, izolimin e personave të infektuar dhe edukimin e popullatës për të respektuar standardet thelbësore të higjienës.
Pika tjetër e theksuar nga OBSH është nevoja për të mbajtur një nivel të lartë të bashkëpunimit ndërkombëtar, si në lidhje me Kinën, ashtu edhe për të gjitha vendet e tjera, gjithashtu me synimin për të ndihmuar ato rajone të botës ku, duke pasur parasysh mos zhvillimin e sistemet shëndetësore, epidemia mund të ketë efektet më të këqija. (wired)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.