Koronavirusi mund të frenohet edhe nga antivirali Molnupiravir
Një medikament eksperimental me veprim antiviral frenon replikimin e SARS-CoV-2 dhe zvogëlon dëmtimin e mushkërive nga koronavirusi. Efektet premtuese të MK-4482, ose Molnupiravir, të përshkruara në një artikull në Nature Communications, i referohen testeve të kafshëve, por ilaçi aktualisht është në një fazë të avancuar të provave klinike edhe tek njerëzit dhe po prodhon rezultate bindëse në pacientët Covid që nuk janë të shtruar në spital. .
Tek brejtësit e infektuar me SARS-CoV-2 dhe me simptoma të lehta të Covid, Molnupiravir frenoi replikimin e koronavirusit si kur administrohej nga 12 orë para infektimit, ashtu edhe kur jepet nga 12 orë pasi të kishte marrë infeksionin. Pas tre ditësh trajtimi, antivirali – i cili fillimisht u zhvillua kundër gripit – e bëri virusin 100 herë më pak infektues në mushkëritë e kafshëve të të dy grupeve; brejtësit gjithashtu treguan më pak lezione të mushkërive.
Brejtësit janë zgjedhur për këtë fazë të testimit sepse është zbuluar se transmetojnë lehtësisht patogjenin pa vuajtur nga simptoma të rënda, siç ndodh zakonisht në të rriturit e rinj human.
Nëse këto rezultate inkurajuese konfirmohen te njerëzit, ilaçi mund të përdoret për të kontrolluar infeksionin SARS-CoV-2 tek njerëzit që kanë qenë në kushte potencialisht me rrezik të lartë (administrim para-ngjitjes), por edhe për trajtimin e pacientëve tashmë pozitivë dhe me simptoma te lehta ose te moderuara.
Molnupiravir tashmë është në prova klinike njerëzore. Pas studimeve të fazës 2 për të vendosur dozën më efektive, u vendos që të vazhdohet në fazën 3 vetëm për pacientët e trajtuar në shtëpi: për ata të shtruar në spital, të cilët tashmë kanë një histori të gjatë të simptomave pas tyre, nuk u vërejtën përfitime.
Nëse rezultatet e marra nga kafshët vlejnë edhe për njerëzit, antivirali mund të shtohet në disa ilaçe që aktualisht janë në dispozicion për të trajtuar CoViD-19 pasi të ketë ndodhur infeksioni. Krahasuar me ilaçet e tjera, ai ka avantazhin e administrimit oral: do të ishte më lehtë të rekomandohej për kujdesin në shtëpi.
Përveç lehtësimit të simptomave tek pacientët tashmë të infektuar, Molnupiravir mund të ndihmojë gjithashtu për të ndaluar transmetimin e Covid sepse pengon replikimin e virusit: shpresa është që të mund të zvogëlojmë dritaren e kohës në të cilën një person i prekur është ngjitës. (Focus)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.