Korporatat ku investohen paratë e shqiptarëve! Nga “Vodafone” e “Daimler”, deri te “Nestle” e “Statoil”
Ulja e interesave të depozitave pranë zeros, në vitet e fundit, ka bërë që një sasi e konsiderueshme e kursimeve në euro të kanalizohen në fondet e investimit. Sipas të dhënave nga nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në fund të vitit 2016, vlera e aseteve të fondit “Raiffeisen Invest”, që ofron mundësi investimi në monedhën europiane, arriti në 13.6 miliardë lekë ose më shumë se 100 milionë euro. Asetet neto të këtij fondi u rritën me 31% gjatë vitit të kaluar, çka dëshmon një synim për të siguruar kthime më të larta nga investimi i kursimeve.
Fondet në euro të Raiffeisen Invest investohen në obligacione të qeverisë shqiptare dhe atyre të huaja, në obligacione të korporatave dhe në fonde të tjera investimi jashtë vendit. Veç obligacioneve 2 vjeçare dhe 5 vjeçare të qeverisë shqiptare, që zënë afro një të tretën e maktiveve të fondit, një peshë të konsiderueshme kanë marrë edhe investimet në obligacionet qeveritare jashtë vendit. Ato përbëjnë rreth 9.4% të aseteve të Raiffeisen Invest. Pjesa më e madhe e tyre i takojnë qeverisë së Malit të Zi, për një portofol investimi prej afro 648 milionë lekësh. Vijojnë investimet në obligacionet e qeverisë rumune me 306 milionë lekë, obligacionet e Polonisë me 153 milionë lekë dhe ato të Lituanisë me 137 milionë lekë.
Paratë e shqiptarëve në titujt e korporatave shumëkombëshe
Një peshë akoma më të rëndësishme në portofolin e fondit të investimit në euro zënë titujt e korporatave. Janë gjithsej 2.8 miliardë lekë ose rreth 21 milionë euro të investuara në titujt e këtyre kompanive. Fondet e shqiptarëve rezultojnë të investuara në disa prej kompanive të mëdha globale. Listën e kryesojnë “Raiffeisen Bank International”, “Alliance Finance” dhe “Anheuser-Busch”, ndërsa në portofol rezultojnë titujt e shumë prej gjigandëve shumëkombësh të biznesit, si “Nestle”, “Vodafone”, “Sanofi-Aventis”, “Daimler”, “Statoil”, “Carrefour”, etj. Këto të dhëna dëshmojnë edhe njëherë akoma interesin e lartë të publikut për instrumente të Bursës.
Përmes fondeve të investimit, investimi në titujt e korporatave globale tashmë është një realitet. Në një të ardhme të afërt, me hapjen e bursës së parë private në Shqipëri, do të hapen skenarë për të investuar edhe në obligacione apo aksione të kompanive shqiptare, duke krijuar një alternativë më shumë për investimet në monedhën vendase. Tashmë, janë disa kompani shqiptare që bëjën rregullisht emetime të obligacioneve me ofertë private. Hapja e bursës do të mundësonte shitjen dhe tregtimin e këtyre instrumenteve me ofertë publike, duke zgjeruar mundësitë e investimit për kursimet e shqiptarëve.
Investimet e Raiffeisen
Invest në tituj korporativë (milionë lekë)
Raiffeisen Bank International 422
Alliance Finance 314
Anheuser-Busch 293
Nestle Finance Int 210
Aeroport Paris 160
Peugeot 153
Sanofi Aventis 151
BP Capital Markets p.l.c. 148
BASF SE 148
DAIMLER AG 143
Carrefour 143
Schneider Electric 143
Statoil 138
Vodafone 138
BayerCapital 125
Totali 2 830
Ersuin Shehu/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.