Korporatat rrisin bursat – Fitimet tremujore rezultojnë mbi parashikimet
Tregjet financiare po qëndrojnë në rritje në sesionin e sotëm, për shkak të të dhënave pozitive të korporatave, për tremujorit e katërt të 2017. Indeksi pan-Europian Stoxx 600 është në rritje me rreth 0.6%, me shumicën e sektorëve që po qëndrojnë në rritje.
Gjithashtu, fitimet po mbështeten edhe nga dobësimi i lehtë i euros në raport me dollarin amerikan. Përsa i përket aksioneve individuale, Hugo Boss është rritur ndjeshëm, për shkak se fitimet tremujore rezultuan mbi parashikimet e analistëve.
Kompania gjermane e prodhimeve të luksit, ju rikthye fitimeve gjatë tremujorit të fundit të vitit të kaluar dhe për këtë arsye aksionet janë në rritje me rreth 3%.
Ndërkohë, kompanitë minerare si Fresnillo, Anglo American dhe Antofagasta, po tregtohen në rënie, për shkak të rënies së çmimeve të metaleve. Edhe në rajonin aziatik, tregjet u mbështetën nga fitimet e korporatave.
Në tregun monetar, euro ka rënë me rreth 0.4% përballë dollarit amerikan, ndërsa në sesionin e kaluar u rrit pranë 1.23 dollarëve, niveli më i lartë që nga dhjetori i vitit 2014.
Rritja e euros është mbështetur nga pritshmëritë se Banka Qendrore Europiane do të fillojë tërheqjen e stimujve monetarë.
Përsa i përket të dhënave të tjera ekonomike, inflacioni në Mbretërinë e Bashkuar rezultoi në 3%, gjatë dhjetorit, në linjë me parashikimet e analistëve.
Lidion Kulla/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.