Korridori turistik i Jugut, ja punët që parashikon projekti që prek Sarandën, Beratin, Përmetin dhe Gjirokastrën
Projekti për Zhvillim të Integruar Urban dhe Turistik ka nisur nga puna për zhvillimin e produkteve turistike në bashkitë e Beratit, Gjirokastrës, Sarandës dhe Përmetit. Me një kosto prej 63.8 milionë eurosh të financuar nga Banka Botërore, projekti i shërben mbi 84 mijë banorëve dhe rreth 300 mijë turistëve.
Komponentët e projektit degëzohen në tre grupe: projektimin urban dhe përmirësimin e infrastrukturës, përmirësimin e siteve turistike; si dhe tregun e turizmit dhe zhvillimin e produkteve.
Konkretisht, deri më tani kanë nisur punimet për rehabilitimin e shkallareve në qendër të Sarandës, si dhe për rehabilitimin e rrugës këmbësore për në Kalanë e Beratit dhe pikës panoramike jugore të Kalasë.
Ndërkohë, projekti për rehabilitimin e kalldrëmeve të Qafës së Pazarit në Gjirokastër është në proces tenderimi.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit, si zbatues i projektit, po punon për projektet e tjera si:
- Rruga e automjeteve për në Kalanë e Beratit “Muzak Topia”
- “Rehabilitimin e shtegut të Ali Pashës, Gjirokastër dhe stabilizimi i skarpateve pranë Kalasë Gjirokastër ”.
- Ndriçimi i qendrës historike të qytetit të Gjirokastrës;
- Përmirësimi i shëtitores bregdetare të Sarandës, etj;
- Ndriçimi i rrugëve Përmet;
- Ndërhyrje urbane në shëtitoren “Naim Frashëri”, në Sarandë;
- Përmirësimi i infrastrukturës në lagjen muze të qytetit të Gjirokastrës;
- Përmirësimi i infrastrukturës urbane në qytetin e Beratit dhe Përmetit; etj
Sa i takon kompontentit të tretë, projekti nxit partneritetet ndërmjet bashkive dhe aktorëve kyç në fushën e turizmit. Por krahas kësaj ka si objektiv dhe zhvillimin e të paktën 20 produkteve të reja turistike dhe lidhjen e tyre me tregjet potenciale.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.