Korrik pozitiv për turizmin – Instat: Numri i vizitorëve të huaj u rrit me 19%
Numri i vizitorëve të huaj në Shqipëri kaloi pragun e një milionëve gjatë muajit korrik. Sipas Institutit të Statistikave, krahasuar me korrikun e vitit të kaluar, numri i shtetasve të huaj që vizituan Shqipërinë u rrit me 19%. Për të gjithë shtatëmujorin e parë të vitit, Shqipërinë e vizituan 2.95 milionë shtetas të huaj, në rritje me 12.4% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Përkundrejt perceptimeve se numri i turistëve nga Kosova është në rënie, shifrat e korrikut treguan një rritje me 16% të vizitorëve kosovarë. Kosova vazhdon të dominojë numrin e vizitorëve nga jashtë në Shqipëri me 911 mijë në shtatë muaj. Përgjithësisht, vizitorët prej vendeve fqinje vazhdojnë të dominojnë turizmin hyrës në Shqipëri, me 75% të totalit. Megjithatë, vizitat nga vendet fqinje, në një pjesë të madhe lidhen me qëllime pune apo biznesi, më shumë sesa me turizëm të mirëfilltë.
Rritje të ndjeshme, edhe gjatë këtij viti, ka regjistruar numri i vizitorëve nga Polonia, me 33% dhe nga Gjermania, me 18%. Ndërkohë, vizitat e shqiptarëve jashtë shtetit pësuan rënie gjatë muajit korrik, me 6% më shumë krahasuar me një vit më parë. Në shtatë muajt e parë të vitit, shqiptarët kanë kryer 2.86 milionë dalje jashtë vendit, në rritje me 3.7% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.