Korrupsioni dhe fshehja e të ardhurave – Policia arreston 2 inspektorë në Velipojë
Policia e Shtetit ka arrestuar dy inspektorë të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër.
Sipas njoftimit është shpallur në kërkim një inspektor tjetër i kësaj drejtorie për veprën penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike“ si dhe po procedohet në gjendje të lirë pronari i një hoteli për “Fshehja e të ardhurave”.
Policia ka vënë në zbatim planin e masave për Sezonin Turistik 2019, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar, në D. V. P. Shkodër si edhe janë ushtruar kontrolle në disa subjekte në Plazhin e Velipojës.
Sipas njoftimit nga rezultatet e këtyre kontrolleve janë evidentuar shkelje të bëra nga ana e punonjësve të bashkisë Shkodër dhe subjekteve në lidhje me deklarimin e të ardhurave.
Policia ka arrestuar shtetasin B. P., 32 vjeç, banues në Shkodër, punonjës në Bashkisë Shkodër dhe shtetasin I. M., 63 vjeç, banues në fshatin Oblikë, gjithashtu punonjës në Bashkisë Shkodër. Në kërkim është shpallur shtetasi D. H., 32 vjeç, banues në lagjen “Vojo Kushi” Shkodër.
Sipas njoftimit të policisë këta tre shtetas në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qenë në pozicionin e inspektorit të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër, ku me anë të falsifikimit të dokumenteve kanë shpërdoruar detyrën dhe në këmbim të marrjes së ryshfetit në një hotel në plazhin Velipojë, kanë favorizuar këtë të fundit duke mos deklaruar numrin real të dhomave të këtij hoteli me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton Bashkia Shkodër.
Policia njoftoi se ka filluar procedimi penal në gjendje të lirë për pronarin e hotelit, shtetasin P. A., 36 vjeç, banues në Velipojë, Shkodër, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.