Korrupsioni dhe integrimi – Ministri Italian: Rastet u shtuan me Pandeminë. Gjonaj: Rezultate me SPAK e BKH
Lufta kundër korrupsionit ka mbledhur në një takim të nivelit të lartë Ministrin e Jashtëm të Italisë Luigi Di Maio dhe Ministren e Drejtësisë Etilda Gjonaj. Gjonaj u ndal te lufta kundër korrupsionit në vend duke sqaruar rolin e organeve të reja si SPAK e BKH në luftën kundër këtij fenomeni. Ministrja e Drejtësisë nënvizoi edhe ngritjen e rrjetit të koordinatorëve antikorrupsion në dikasteret kryesore, ndërkohë që përshëndeti bashkëpunimin e ngushtë me shtetin Italian në këtë drejtim.
Ministri i Jashtëm Italian theksoi se Pandemia ka ulur vullnetit për të luftuar korrupsionin, ndërkohë që nga ana tjetër ka sjellë shtimin e këtij fenomeni. Di Maio ritheksoi mbështetjen e plotë të Italisë në luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, duke e përmendur edhe si një prej kushteve kryesorë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Ministri Di Maio erdhi në vendin tonë për të konsoliduar angazhimin e Italisë në përmirësimin e sistemit të drejtësisë në Shqipëri, për të koordinuar objektivat e luftës kundër korrupsionit sipas indikatorëve të GRECO-s, mekanizmit antikorrupsion të Këshillit të Europës dhe për të mbështetur integrimin e Shqipërisë në BE.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.