Korrupsioni në administrate – Llalla: Institucionet e fshehin, do rrisim vëmendjen

Megjithëse korrupsioni në administratën publike është në nivele të larta, vitin e kaluar dhe në vijim ka një rënie të theksuar të numrit të referimeve për këtë vepër penale nga të gjitha institucionet ligjzbatuese në vend.
Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, ka theksuar, se për këtë arsye, institucioni që ai drejton do të përqendrohet në fillimin e hetimeve në rastet kur ka dyshime për korrupsion në radhët e zyrtarëve apo punonjësve të thjeshtë në administratën shtetërore.
“Nga ana jonë, janë orientuar të gjithë strukturat e prokurorisë, të fillojnë hetimet kryesisht për të gjitha rastet ku ka dyshime për elementë të veprës penale të korrupsionit. Në këtë periudhë tranzitore të reformimit të sistemit të drejtësisë në vend, kur pritet që të krijohet prokuroria e posaçme, strukturë e posaçme e luftës kundër korrupsionit, të gjitha strukturat e prokurorisë do të jenë të angazhuara për të vijuar të hetojnë të gjitha rastet e korrupsionit në radhët e administratës publike, pavarësisht kohës në të cilën pritet të krijohet struktura përkatëse“, tha Llalla.
Deklarata e kryeprokurorit Llalla u bë gjatë një takimi me Ministrin e Drejtësisë, Petrit Vasili. Vasili dorëzoi në emër të qeverisë shqiptare rekomandimet mbi politikën penale për vitin 2017. Bashkëpunimi midis institucioneve, pavarësia e Prokurorisë dhe lufta kundër korrupsionit ishte fokusi kryesor i këtyre rekomandimeve.
“Rekomandimi kryesor që jepet me forcë, po të doni kuptojeni dhe si imponim është që duhet të bashkëpunojmë me njëri-tjetrin, pavarësisht nga ato që janë vlerësimet personale që mund të kemi për njëri-tjetrin“, u shpreh Ministri i Drejtësisë.
Në fokus të takimit ka qenë edhe rritja e vëmendjes sa i përket krimit të organizuar, trafikut të lëndëve narkotike dhe pastrimit të parave.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.