Korrupsioni te prokurimet publike. OSBE nis monitorimin e sistemit online: Do evidentohen rreziqet
Prej datës 1 shtator, prezenca e OSBE-së në Shqipëri ka nisur punë kërkimore për të evidentuar rreziqet dhe për të parandaluar korrupsionin në fushën e prokurimeve publike. Me anë të këtij projekti synohet forcimi i kapaciteteve dhe rritja e transparencës dhe të llogaridhënies të sistemit të prokurimit publik në Shqipëri. Ndërkohë që, do të ofrohen rekomandime për përmirësimin e kuadrit të politikave dhe për zhvillimin e kapaciteteve, si dhe do të përkrahë transparencën dhe mbikëqyrjen e të dhënave ndërmjet aktorëve të shoqërisë civile.
Prezenca ka kontraktuar Qendrën Kërkimore Evropiane Kundër Korrupsionit dhe për Ndërtimin e Shtetit, pjesë e Shkollës së Qeverisjes Hertie, me qendër në Berlin, si dhe Institutin Shqiptar të Shkencave për nisjen e një vlerësimi tërësor të rrezikut në fushën e prokurimeve publike në disa sektorë publikë të caktuar. Gjithashtu, ata do të përgatisin një hartëzim pamor për evidentimin e hendeqeve, si edhe do të bëjnë rekomandime për zbutjen e rreziqeve me anë të përmirësimit të kuadrit të politikave dhe të administrimit operacional. Gjithashtu, Prezenca do të zhvillojë një udhërrëfyes për krijimin e një programi trajnimi profesional për zyrtarët e prokurimeve publike, me qëllim rritjen e aftësive të tyre dhe përmirësimin e efikasitetit, planifikimit dhe të procedurave të mbikëqyrjes. Ky projekt është pjesë e përpjekjeve të Prezencës për të mbështetur qeverinë e Shqipërisë në luftën kundër korrupsionit.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.