Korsitë e dedikuara për biçikleta – Nis ndërtimi në Bulevardin “Zogu i Parë”
Bashkia e Tiranës ka nisur ndërtimin e korsisë së dedikuar për biçikleta në Bulevardin “Zogu i Parë.” Fillimi i punimeve u inspektua edhe nga kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, sipas të cilit projekti do të përfundojë brenda këtij viti.
“Jam shumë entuziast që projekti ynë i korsive dedikuar biçikletave po merr një përmasë tjetër, pra po del përtej zonës së qendrës. Po bëjmë një lidhje me sheshin “Skënderbej” dhe me Bulevardin e Ri, për t’u siguruar që ishujt si sheshi i Bulevardit të Ri, sheshi “Skënderbej”, Pazari i Ri apo zona e Liqenit, fillimisht lidhen mes tyre për të krijuar një rrjet minimal të biçikletave”, tha Veliaj.
Sipas tij, ndërtimi i këtij segmenti do të pasohet më pas edhe me Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, bën të mundur krijimin e një aksi qendror të korsive për biçikleta, i cili nis në Kodrat e Liqenit për të përfunduar në Bulevardin e Ri. Ai shtoi më tej se këto korsi do të pajisen edhe me sinjalistikë vertikale mbrojtëse.
Ndërkohë, kryebashkiaku në fjalën e tij deklaroi se në fazën e parë janë parashikuar të ndërtohen rreth 10 kilometra korsi të dedikuara për biçikleta.
“Ambicja jonë është të përfundojmë fazën e parë me 10 km të biçikletave, kemi filluar te rruga “Dritan Hoxha”, po vazhdojmë te “Rruga e Dibrës” dhe tani gjithë ishujt pedonalë po lidhen me njëri-tjetrin”, tha Veliaj.
Korsia e biçikletave do të kalojë në trotuarin e mesit në bulevardin “Zogu i Parë” dhe ajo do të fillojë në anë të Hotel Tirana International dhe Muzeut Historik Kombëtar dhe do të përfundojë në Unazë në zonën e ish-Stacionit të Trenit.
G.D/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.