Kosova bën gati taksën për autostradat – Pret si do të funksionojë në Shqipëri

Autoritetet në Kosovë janë gati të vendosin qarkullimin me pagesë në autostrada.
Sipas zyrtarëve të ndryshëm në vend, nuk ka ende një datë të caktuar se kur mund të nisë aplikimi i tarifave rrugore, por kjo do të ndodhë vetëm pasi të jetë vlerësuar efektshmëria e futjes së pagesës në Rrugën e Kombit nga pala shqiptare.
Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku u shpreh se procesi i vënies se taksës në autostradë do të ndodhë, por janë duke pritur edhe përfundimin e autostradës Prishtinë- Shkup.
Në këtë mënyrë, sipas Zharkut, do të ketë një ofertë më të tërheqëse për t’u paraqitur në tender, që do të thotë një çmim më i leverdisshëm për qytetarët e Kosovës.
Autostrada Prishtinë- Shkup, 55 kilometra e gjatë, pritet të përfundojë vitin e ardhshëm dhe do t’i kushtojë buxhetit të shtetit 600 milionë euro.
Ndërkohë, vënia e taksës synon të rrisë sigurinë në rrugë për automjetet që udhëtojnë në këto dy autostrada.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.