Kosova deklaron luftë ekonomike: Taksë 100% për çdo produkt serb!
Sot, shteti i Kosovës ka vendosur të caktojë taksë 100% ndaj vlerës së çdo produkti që importohet nga Serbia e Bosnja Hercegovina. Vendimin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili në një postim në profilin e tij në Facebook shkruan se vendimi hyn në fuqi menjëherë.
“Nga sot masë 100% ndaj Serbisë!
Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme, ka marrë vendim që të vendoset masa prej 100% ndaj produkteve të importuara me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina, përjashtuar brendet ndërkombëtare të listuara në aneks. Poashtu, Qeveria e vendit obligon Ministrinë e Tregtisë dhe të Industrisë dhe të gjitha institucionet relevante, që të largojnë dhe të ndalojnë importin dhe hyrjen potenciale në treg të të gjitha produkteve, të cilat nuk i referohen dhe janë në kundërshtim me emërtimin zyrtar dhe kushtetues të Republikës së Kosovës. Vendimi hyn në fuqi menjëherë – institucionet relevante obligohen ta zbatojnë poashtu menjëherë,” shkruhet në deklaratën e z. Haradinaj.
Ky vendim i qeverisë vjen një ditë pasi shtetit të Kosovës iu refuzua kërkesa për t’iu bashkuar listës së vendeve që janë pjesë e Interpol. Nga 135 vende që votuan, 68 ishin pro anëtarësimit, 51 ishin kundër dhe 16 abstenuan duke mos arritur kështu 2/3 e votave të nevojshme për anëtarësim.
Sipas mediave dhe opinionit publik të Kosovës, ky vendim ishte rezultat i një fushate të ashpër të Serbisë për të mos lejuar anëtarësimin.
Ergisa Bejkollari/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.