Kosova gati për njohjen e 115-të – Hoxhaj: Kemi votat për pranim në UNESCO dhe Interpol

Një tjetër shtet ka përmbyllur të gjitha procedurat e nevojshme dhe tashmë është gati të deklarojë njohjen e Republikës së Kosovës. Konfirmimi ka ardhur nga vetë ministri i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, në një intervistë të dhënë për gazetën “Zëri”.
Ministri ka zgjedhur të mos e zbulojë emrin e shtetit, i cili bëhet i 115-ti që njeh Republikën e Kosovës, por ka deklaruar se tashmë Kosova i siguruar votat e nevojshme për pranim në dy organizatat ndërkombëtare, UNESCO dhe INTERPOL.
Zëri: Zotëri Hoxhaj, kemi pasur një stagnim të njohjeve të reja të shtetit. Ju thatë që keni vizituar vende të shumta në vitin e fundit ku keni lobuar për çështje të ndryshme. Po për njohjet e reja a mund të presim ndonjë të tillë së shpejti?
Hoxhaj: Ka një vend i cili ka marrë vendimin për njohje dhe unë pres që do të shpallet shumë shpejt ky vendim. Sa i përket asaj se cili është ky vend, unë asnjëherë nuk kam folur me emra të vendeve sikurse vitin e kaluar kur kam deklaruar 4-5 javë para se Singapori ta shpallë njohjen që një vend do ta njohë Kosovën, dhe Singapori më pas e shpalli atë. Apo vitin e kaluar kur isha me vizitë në Gajane, ku takova presidentin e Surinamit dhe më kishte premtuar se do ta merrte vendimin për njohjen e Kosovës, kemi folur disa herë në telefon me të dhe mandej është marrë vendimi. Megjithatë, ne kemi informatë se një vend i ka përmbyllur të gjitha procedurat dhe nuk e praktikojmë që të flasim në emër të vendeve të tjera, pasi që detyra ime si ministër i Jashtëm është që të ruajë kredibilitetin e vendit, por edhe kredibilitetin e atyre të cilët morën vendim që ta njohin Kosovën.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.