Kosova, mbi gjysmë miliardi euro remitanca por që përdoren për konsum familjar
Vitin e kaluar, dërgesat e emigrantëve në Kosovë vlerësohet se kanë arritur në mbi gjysëm miliard euro në vetëm 9 muaj.
Megjithatë, ekspertët janë të mendimit se pavarësisht vlerës së lartë, destinacioni i tyre nuk janë investimet por konsumi i familjeve. Dërgesat vijnë kryesisht nga Gjermania dhe Zvicra.
Eksperti i çështjeve ekonomike Ismail Kastrati, në një prononcim për Radion “Evropa e Lirë”, thotë se dërgesat e emigrantëve kanë ndikuar në zbutjen e varfërisë dhe në mirëqenien e familjeve në Kosovë, vite me radhë. Megjithatë, tani sipas tij, është koha që të iu ndërrohet orientimi këtyre mjeteve.
“Remitancat janë një faktor i rëndësishëm për përmirësimin e gjendjes sociale dhe të konsumit në Kosovë, por ne duhet të bëjmë përpjekje që ato të marrin një karakter tjetër, karakterin zhvillimor. Remitancat do të duhej të shërbenin më shumë për investime, sesa për një gjendje të mbijetesës ekonomike apo sociale”, thekson Kastrati.
Megjithatë, për të ndryshuar orientimin e tyre nga konsumi familjar në investime, sipas përfaqësuesve të bizneseve dhe ekspertëve të ekonomisë, ka nevojë për një ambient të favorshëm biznesi.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.