Kosova me potencial të lartë për investitorët e huaj, sektorët më tërheqës

Sektori i agrobiznesit, minierat dhe mineralet, si dhe fusha e teknologjisë, janë disa nga industritë më tërheqëse për investitorët e huaj, të cilët, sipas ekspertëve të ekonomisë, vlerësohen se mund të vinë në Kosovë për investime.
Ish drejtori i përgjithshëm në Agjencinë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë Valdrin Lluka, thotë se Kosova ka potencial të lartë për investitorë të huaj.
“Industritë më atraktive do të ishin fusha e agrobiznesit, janë fusha që përdorin fuqi të lartë punëtore, forca punëtore kushton shumë në perëndim dhe ne mund t’i zëvendësojmë ato industri që në vendet perëndimore është më e shtrenjtë të paguhen. Ne kemi fuqi të lirë punëtore e cila po ashtu është e përgatitur mjaft mirë për të prodhuar produkte për Bashkimin Evropian”, thekson ai për Radion Evropa e Lirë.
Biznesi në Kosovë vazhdon të ketë edhe barriera thekson Lluka, dhe se si të tilla duhet të eliminohen. Kosova vazhdon të ketë probleme me furnizim stabil me energji elektrike.
“Qeveria duhet t’u ofrojë investitorëve një garanci apo t’i lejë hapur dyert për negocimin e këtyre problemeve, për shembull, duhet të merr përsipër përmirësimin e infrastrukturës së energjisë elektrike. Qeveria përmes kredive të butë apo në formë të garanteve duhet të ja sigurojë infrastrukturën e plotë dhe të mos e lënë investitorin e huaj të investojë në këtë pjesë”, shton Lluka.
Ardhjen e investitorëve të huaj në Kosovë e kishte penguar edhe situata jo e mirë politike në vend. Kjo situatë kishte pasur ndikim të madh në rënien e interesimit të kompanive të huaja që të kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë.
Sipas të dhënave zyrtare të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës, investimet e huaja direkte në vend deri në muajin nëntor të vitit të kaluar kanë qenë rreth 220 milionë euro, kurse në vitin 2015 këto investime kanë qenë rreth 320 milionë euro.
Eralda Zito/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.