Kosova, shtysë për sektorin TIK – BERZH bashkon forcat me ARKEP
Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim njoftoi të martën se do të ndihmojë autoritetet kosovare të forcojë sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. Një fushë në rritje të shpejtë dhe vendimtare për zhvillimin e mëtejshëm të ekonomisë në të ardhmen.
Autoriteti Rregullator i Komunikimeve Elektronike dhe Postës së bashku me BERZH kanë lancuar si hap të parë një program ndërtimi kapacitetesh.
Kjo fazë do të shtrihet përgjatë muajve Shtator, Tetor dhe Nëntor të këtij viti dhe do të ofrojë trajnime për të mbështetur zhvillimin në këtë sektor dinamik, i cili përfshin telekomunikacionin, rrjetin dhe shërbimet e internetit.
“Sektori TIK në Kosovë është i varur gjithmonë e më shumë nga baza e njohurive të avancuara. Normat nuk janë kundërshtarë të inovacionit, por një mbështetje jetësore sepse ofrojnë kornizën e duhur që ky sektor të rritet e të lulëzojë”, u sphreh Kreshnik Gashi, kryetari i ARKEP.
Në eventin e nisjes së projektit morën pjesë edhe përfaqësues të BERZH, Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, komisionit të medias së pavarur, autoriteti i konkurrencës dhe të ftuar nga kompanitë që ofrojnë rrjetin dhe shërbime.
Paul Moffat, një këshilltar i BERZH foli mbi rëndësinë e zhvillimit të trajnimeve. “BERZH dhe ARKEP ka zhvilluar një program gjithëpërfshirës, i cili do të ofrojnë trajnim të detajuar në mbulimin e të gjitha fushave të ligjit, politikave, normave, teknike, financiare dhe praktikave ekonomike e procedurave që lidhen me këtë sektor”.
Në sesionet e trajnimeve që do të zhvillohen në zyrat e ARKEP në Prishtinë do të jenë të ftuar ekspertë europianë, të cilët do të këshillojnë mbi sfidat specifike me të cilat përballet ky sektor në Kosovë.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.