Kosovë, gjithçka gati për zgjedhjet e së dielës

Ora shtatë e mëngjesit të së shtunës ka shënuar fillimin e heshtjes parazgjedhore. Ndërkohë që partitë politike dhe kandidatët për kryetar komunash janë në heshtje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka kryer përgatitjet për ditën e votimit, raporton KTV. Të dielën e 19 nëntorit, të drejtë vote kanë më shumë se 1 milion e 300 mijë qytetarë.
Në 19 komuna, përfshirë gjashtë nga shtatë kryesoret: Prishtinë, Prizren, Gjakovë, Mitrovicë, Gjilan e Ferizaj do të zhvillohet rundi i dytë i zgjedhjeve.
Rundi final do të zhvillohet edhe në Vushtrri, Podujevë, Obiliq, Kamenicë, Suharekë, Malishevë, Rahovec, Klinë, Istog, Kllokot, Shtime, Kaçanik dhe Dragash.
Ndërsa në Partesh do të përsëritet rundi i parë.
Materialet zgjedhore nga KQZ janë nisur drejt komunave, ndërkohë që 14 mijë komisionerë dhe 12 mijë vëzhgues, do të kujdesen për mbarëvajtjen e procesit.
“1,784 prej këtyre të fundit do të jenë nga “Demokracia në Veprim”. Ky koalicion i OJQ-ve u ka bërë thirrje partive politike që të tregojnë pjekuri për të pasur zgjedhje të lira, të qeta e demokratike. Ndërkohë, DnV ka prezantuar të dhënat nga monitorimi i 166 aktiviteteve nga fushata 5 ditore. Sipas raportit, në 28 për qind të tubimeve është vërejtur prani e fëmijëve, në 30 për qind të aktiviteteve personave me nevoja të veçanta nuk u është ofruar qasje, e po ashtu është vërejtur pjesëmarrje e ultë e grave në tubime, më pak se 10%”, raporton KTV.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.