Kosovë, Ministria e Financave: Buxheti i mjaftueshëm për transformimin e FSK-së në ushtri

Projektligji i iniciuar nga presidenti Hashim Thaçi, nuk paraqet asnjë pengesë për buxhetin e hartuar për këtë vit. Kështu shprehen zyrtarë të Ministrisë së Financave në Kosovë, duke sqaruar se ky dikaster po bën vlerësimin e ndikimit buxhetor të këtij projektligji.
“Ky buxhet reflekton planin strategjik të FSK-së dhe nuk paraqet asnjë pengese për transformimin në ushtri”, ka thënë Muharrem Shahini, drejtor i zyrës për media në MF, për Gazetën Metro në Kosovë.
Gjithashtu, Ministria thotë se një arsye pse nuk përbën problem për buxhetin ky projektligj është se qeveria e kishte planifikuar më parë shndërrimin e FSK-së, dhe buxheti ishte menduar edhe për këtë.
‘Vlerësimet janë që kërkesat buxhetore të këtij projektligji janë brenda ndarjeve buxhetore për 3 vitet e ardhshme siç janë parë më parë me KASH, duke qenë se qeveria edhe më parë kishte planifikuar për shndërrimin e FSK-së në Ushtri’, thuhet në përgjigjen e Ministrisë.
Po ashtu, Ministria sqaron se buxheti për FSK-në për vitin 2017 dhe vitet në vazhdim, ishte bërë në koordinim me partnerët, dhe në të parashiheshin edhe avancimet e FSK-së.
“Buxheti për Forcën e Sigurisë së Kosovës për 2017 dhe për vitet në vijim është përgatitur në konsultim të ngushtë dhe në dakordësi me partneret tanë, të cilët e mbështesin avancimin e FSK-së’”,ka shtuar Muharrem Shahini.
Ndërkohë, sot Ministria e Integrimit kishte proceduar në qeveri projektligjin për FSK-në, duke e konsideruar si brenda të drejtave që njeh BE-ja. Po ashtu, para disa ditësh edhe Ministria e FSK-së kishte bërë të njëjtën gjë. Kështu, vetëm Ministria e Financave ka mbetur për të proceduar në Qeveri këtë projektligj, në mënyrë që të hapet rruga për procedim në Kuvend. Ndryshe, projektligji për krijimin e ushtrisë u propozua nga presidenti Hashim Thaçi, i cili u dorëzua në Kuvend para rreth dy javësh.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.