Kostimi i shërbimeve spitalore – Mungesa e protokolleve klinike rrit kostot, s’reflektohen shpenzimet reale
Sistemi shëndetësor në vend vijon të ketë problematika të mëdha pavarësisht reformave apo investimeve që bëhen vit pas viti. Problematikat me të cilat ndeshen më shpesh pacientët shqiptarë kanë të bëjnë me procedurat e zgjatura dhe me shumë hallka në sistemin e referimit, me cilësinë e dobët të shërbimeve shëndetësore, financimi i ulët i sistemit shëndetësor, rritja e kostove të shërbimeve në mungesë të protokolleve të miratuara si dhe një sërë faktorësh të tjerë tregojnë performancën e ulët të sistemit shëndetësor .
Mungesa e protokolleve klinike ka bërë që të rriten kostot e paketave apo shërbimeve të ndryshme spitalore. Sipas raportit të auditimit të Kontrollit të Lartë të Shtetit rezulton se implementimi i paketave shëndetësore përbën një nismë të mirë për miratimin e protokolleve për këto paketa, por mënyra e vlerësimit financiar të tyre bie ndesh me ligjin e prokurimeve publike, duke rritur kostot e këtyre shërbimeve shëndetësore.
Referuar sistemit të vlerësimit të kostove për shërbimet shëndetësore rezulton se sistemi aktual nuk reflekton kostot reale. Sistemi aktual i vlerësimit të kostove për shërbimet spitalore është një vlerësim që mbart shpenzime të tepërta dhe nuk reflekton kostot e vërteta, duke orientuar kërkesat e institucioneve shëndetësore spitalore drejt vlerësimit të shpenzimeve dhe jo sipas kostove të tyre.
Problematika të tjera që ndeshen në sistemin tonë shëndetësorë kanë të bëjnë me mungesën e specialiteteve pranë shërbimeve në spitalet rajonale dhe bashkiake, si dhe mungesën e performancës së shërbimit parësor e cila ka krijuar rritjen e kostove dhe përqendrimin e pacienteve në qendrën më të madhe universitare QSUT.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.