Kosto Botërore e Jetesës – Singapori vlerësohet qyteti më i shtrenjtë, kryeson Azia

Ndër 10 vendet më të shtrenjta në botë pesë janë në Azi, me Singaporin që renditet i pari dhe Hong Kongu i dyti.
Këto të dhëna paraqiten në raportin “Kosto Botërore e Jetesës 2017”, të hartuar nga “Economist Inteligence Unit”, pjesë e grupit “The Economist” dhe që rendit qytetet më të mëdha të botës duke krahasuar çmimet e klasave të ndryshme të produkteve dhe shërbimeve.
Dy qyetet japoneze, Tokio dhe Osaka kanë rihyrë në 10-shen e parë, duke u pozicionuar në vend të 4-t dhe të 5-të.
Pjesa tjetër në 10 vendet më të shtrenjta në botë për të jetuar përbëhet nga 4 qytete Europiane; Zyrihu, Gjeneva, Parisi dhe Kopenhageni, ndërsa New Yorku është i vetmi vend i Amerikës Veriore, kryesisht prej dobësimit të valutës amerikane.
Almaty në Kazakistan vlerësohet si qyteti më i lirë për të jetuar, duke u renditur në vend të fundit, ndjekur nga Lagos i Nigerisë.
Në 10 qytetet më të lira për të jetuar renditet edhe Kievi e Bukureshti. Ndër qytetet me lëvizje më të mëdha në renditje kanë qenë Sao Paolo dhe Rio De Janeiro, duke u ngjitur me 29 dhe 27 vende secila, kryesisht prej inflacionit dy-shifror në këto vende.
Në raport theksohet se nxitësit kryesor në kostot e jetesës kanë qenë; kursi i këmbimit, politikat qeveritare dhe çmimet e lëndëve të para.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.