Kosto e huamarrjes për Greqinë – Bie yield-i i titujve qeveritarë, ndjek lëvizjen e agjencisë “Fitch”
Yield-i i titujve qeveritarë të borxhit në Greqi pësoi rënie në nisje të kësaj jave, pas rritjes së vlerësimit nga agjencia Fitch, që theksoi përmirësimin e humorit ndaj vendit.
Kjo bëri që obligacionet e Greqisë të mbiperformojnë të tjerat në Eurozonë, ndërkohë që yield-et në bllokun e valutës së përbashkët patën rritje. Megjithatë, tregtia ishte e ulët në volum për shkak të pushimeve publike në Azi dhe Shtetet e Bashkuara.
Për momentin, vëmendja e investitorëve u kthye te Greqia, ku agjencia Fitch rriti vlerësimin afat-gjatë për Greqinë në notën “B”, nga “B-”, duke mbajtur edhe perspektivën pozitive.
Sipas agjencisë, qëndrueshmëria e borxhit qeveritar do të përmirësohet në një kohë të rritjes së ekonomisë dhe reduktimit të rreziqeve politike. Kjo shënon lëvizjen e dytë për vendin këtë vit, ndërkohë që edhe S&P rriti vlerësimin e Greqisë për të parën herë në 2 vite, prej përmirësimit të financave dhe perspektivës fiskale.
Ky optimizëm është nxitur nga pritshmëritë se Greqia do të përfundojë programin e shpëtimit në muajin Gusht dhe se do të marrë lehtësim të borxhit nga kreditorët ndërkombëtarë.
Yieldi i borxhit 5-vjeçar të Greqisë ra me 5 pikë bazë në 3.39%, duke tejkaluar në performancë homologët në Eurozonë. Gap-i mes yieldit të titujve 10-vjeçar të Greqisë dhe benchmarkut të Gjermanisë, qëndronte në 351 pikë bazë, që më i ulëti në 1 javë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.