Kosto e ndërtimit – Rritja e ulët edhe në tremujorin e parë
Kostot e ndërtimit të banesave po rriten me ritme të ngadalta, por të vazhdueshme. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në tremujorin e parë të këtij viti kostot u rritën për të shtatin tremujor radhazi.
Krahasuar me tremujorin e parë 2017, ndërtimi i banesave kushton 0.5% më shtrenjtë. Ndonëse ende në vlera tejet modeste, kostot e ndërtimit po rritet në mënyrë të qëndrueshme që nga mesi i vitit 2016.
Rritja në tremujorin e parë të këtij viti erdhi sidomos nga shpenzimet më të larta për paga dhe nga kostot më të larta të transportit. Shpenzimet e bizneseve ndërtuese për fondin e pagave u rritën me 1.7%, ndërsa ato për transport me 2.1% krahasuar me një vit më parë, këto të fundit të ndikuara kryesisht nga çmimet më të larta të karburantit.
Rritja e kostove për paga dhe transport, megjithatë, u balancua nga një rritje më e ulët e kostos së shpenzimeve materiale, që përbëjnë edhe zërin me peshën kryesore në aktivitetin ndërtues. Për tremujorin e parë, kostot materiale u shtrenjtuan me 0.5% krahasuar me një vit më parë.
Rritja e kostove në ndërtimin e banesave është shumë e dobët për të ushtruar presione domethënëse në rritjen e çmimeve të shitjes. Sipas Entit të Banesave, kosto e ndërtimit në Shqipëri është mes 32 dhe 33 mijë lekë për m2, me diferenca të vogla mes bashkive të ndryshme. Çmimi mesatar i shitjes së banesave në kryeqytet është mbi 700 euro për m2, ose rreth tre herë sa kostoja.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.