Kosto e shkëputjes së energjisë – Humbje në 2.7% për biznesin, mbi mesataren e rajonit
Shqipëria është një ndër vendet më problematike sa i përket shkëputjes së energjisë elektrike. Të dhënat e fundit të publikuara nga BERZH në raportin e tranzicionit, tregojnë se, biznesi vendas pëson humbje mesatarisht në 2.7% si pasojë e shkëputjes së energjisë elektrike.
Mesatarja e rajonit fiksohet në vetëm 1.7%, ndërkohë që mesatarja e vendeve ku BERZH është e pranishme fiksohet në 1.1%. Rezulton se, në rajon, Shqipëria është vendi me performancën më të dobët në këtë drejtim, pas Kosovës, ku humbjet për biznesin shkojnë deri në 6.9%.
Me një normë humbje për sipërmarrjen në 2.7%, Shqipëria është ekzaktësisht në të njëjtat nivele me mesataren globale, por shumë larg asaj të rajonit, apo kontinentit.
Norma nuk është aspak e papërfillshme pasi përkthehet në kosto të larta për biznesin dhe humbje të konsiderueshme parash. Këto para mund të shkonin shumë mirë për investime, duke rritur ndjeshëm jo vetëm termat e rritjes ekonomike, por duke përmirësuar edhe modelin e biznesit.
Shkëputja e energjisë elektrike është fajësuar gjithmonë si një ndër problematikat më të mëdha në vendin tonë. Pavarësisht reformës në sektorin energjetik, kjo problematikë vijon të mbetet e pranishme.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.