Kosto ekonomike e jelek-verdhëve – Ministria e Financave: Dëmi fiksohet në 2.5 mld euro
Jelekët e verdhë do t`i kushtojnë ekonomisë franceze 0.2 pikë përqindje në terma të rritjes ekonomike, deklaroi kreu i financave franceze, Bruno Le Maire. Protestat e atyre që tanimë njihen në mbarë botën si jelek-verdhët kanë nisur që prej mesit të muajit Nëntor dhe ende nuk janë ndalur. Ata protestojnë për rritjen e çmimeve të karburantit si dhe koston e lartë të jetesës.
Lëvizja e cila u transformua në një valë mjaft të gjerë proteste ndaj Emmanuel Macron dhe reformave të tij, duket se i ka shkaktuar dëme mjaft të mëdha ekonomisë së dytë më të madhe të Eurozonës. Në kulmin e tyre, gjatë Dhjetorit, protestat detyruan shumë biznese që të mbylleshin në qendër të Parisit, por edhe në qytete të tjera, si rrjedhojë e akteve të paprecedenta të vandalizmit.
“Është një kosto tejet e lartë, në nivelin e 0.2 pikë përqindje të rritjes ekonomike në një tremujor, çka është shumë”-deklaroi Bruno le Maire. Kjo shumë përkthehet në rreth 2.5 miliardë euro. Sipas zyrës franceze të statistikave, rritja ekonomike në tremujorin e fundit të vitit të kaluar ishte në 0.3%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.