Kosto të papërballueshme për disa francezë – Trefishohen faturat e energjisë, pavarësisht shtëpive të ftohta
Familjet franceze po hasin vështirësi në pagesën e faturave, për shkak të rritje së çmimit të gazit dhe energjisë elektrike. Ndër to, Jacques Kadio, ka shkurtuar shpenzimet në ushqime, mbush makinën me rrallë dhe fik ngrohësen kur fëmijët janë në shkollë dhe pavarësisht, kosto e energjisë elektrike po tkurr buxhetin e familjes.
Prind i 5 fëmijëve, që ka qenë i papunë që kur dha dorëheqjen si rojë e sigurisë një muaj më parë, pasi po ritrajnohet si teknik IT, përballet tashmë me fatura të energjisë thuajse 3 herë më të mëdha se përpara pandemisë. “Që tani është e pamundur për t’i paguar dhe nëse rriten mëtej, do jetë katastrofike”- tha Kadio. Çmimet e energjisë në Europë janë rritur pjesërisht prej inventarëve të ulët të gazit dhe rritjes së kërkesës pas pandemisë, duke bërë që disa qeveri të mbrojnë bizneset dhe konsumatorët përpara Dimrit.
Kryeministri francez, Jean Castex, lajmëroi javën e kaluar se familjet me të ardhura të ulëta do të marrin 100 euro nga qeveria për të zbutur rritjen e kostove, pasi zgjati një grant të energjisë ndaj më shumë familjeve. Një në 4 francezë thanë se po hasin vështirësi për të paguar faturat e energjisë apo gazit, sipas një sondazhi nga ndërmjetësi kombëtar i energjisë në vend.
Sondazhi zbuloi se 20% e familjeve kanë fikur ngrohëset dhe kanë pasur ambientin e shtëpisë të ftohtë, të paktën në 24 orët e fundit. Punonjësi social i Kadios, që e ndihmon me dokumentet, tha se situata e tyre nuk është e vetmja dhe është përkeqësuar nga faktorë si shtëpitë e izoluara keq dhe koha më e gjatë në shtëpi si pasojë e karantinës.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.