Kostoja ekonomike e pagjumësisë – 5 vendet që humbasin $680 mld dhe Japonia, ku puna vret
Nga Roel Korkuti
“Personat që flenë më pak se 6 orë në ditë, kanë 13% shanse më të larta vdekshmërie, sesa ata që flenë të paktën 7 orë në ditë. Pagjumësia ka një kosto në ekonomi, të barabartë me 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto”.
Një studim i fundit i organizatës RAND, me titull: “Pse gjumi ka rëndësi, kostoja ekonomike e mungesës së gjumit”, flet pikërisht për impaktin e pagjumësisë në ekonomi. Në analizë merren 5 vende anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim. Studimi është unik në llojin e tij dhe përfundimet janë mbresëlënëse. Në analizë merret lidhja mes mungesës së gjumit dhe vdekshmërisë, si dhe produktiviteti në punë. Të dhënat tregojnë se, mungesa e gjumit lidhet me një normë më të lartë vdekshmërie dhe rënie të produktivitetit në punë. Personat që flenë më pak se 6 orë në ditë kanë 13% shanse më të larta vdekshmërie, sesa ata që flenë të paktën 7 orë në ditë. Pagjumësia ka një kosto në ekonomi, të barabartë me 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Pra, në rast se secili do të flinte, apo do të kishte mundësi të flinte, të paktën 7 orë në ditë, atëherë qindra miliardë dollarë do të injektoheshin në ekonomi.
Shifrat e frikshme, pagjumësia eleminon 3% të PBB
Qendra për Kontrollin e Sëmundjeve dhe Parandalimit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e ka klasifikuar mungesën e gjumit si një problem të shëndetit publik, duke evidentuar se, 1 në 3 amerikanë nuk e merr “dozën” e duhur të gjumit, rregullisht. Gjithsesi, problemi në fjalë nuk është i përqendruar vetëm në Shtetet e Bashkuara, por në pjesën dërrmuese të vendeve të zhvilluara. Në Shtetet e Bashkuara, kostoja e mungesës së gjumit, fiksohet në 411 miliardë dollarë, e barabartë me 2.28% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Në Kanada, shifra është 21.4 miliardë dollarë, ose 1.35% e Prodhimit të Brendshëm Bruto, në Mbretërinë e Bashkuar 50 miliardë dollarë, ose 1.86% e PBB, në Gjermani 60 miliardë dollarë, ose 1,56% e PBB dhe në Japoni 138 miliardë dollarë, ose 2.92% e PBB. Problemin në Japoni do ta trajtojmë më poshtë gjerësisht, për shkak të fenomenit që ka marrë përmasa të frikshme. Në të 5 vendet e marra në vlerësim dhe që janë anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim, kostoja e pagjumësisë fiksohet në 680 miliardë dollarë. Në rast se, ata, të cilët flenë më pak se 6 orë në ditë, do të flinin nga 6 deri në 7 orë, atëherë ekonomia amerikane do të kishte 226 miliardë dollarë më shumë, ajo japoneze, 75.7 miliardë dollarë, ajo gjermane, 34.1 miliardë dollarë, ekonomia britanike 29.9 miliardë dollarë dhe ajo kanadeze 12 miliardë dollarë. Në terma produktiviteti në punë, pagjumësia përkthehet në 1.2 milionë ditë pune të humbura në vit në Shtetet e Bashkuara, 600 mijë ditë pune në Japoni, 200 mijë në Mbretërinë e Bashkuar dhe Gjermani, si dhe 80 mijë ditë pune në Kanada. Të gjitha këto ditë pune, të përkthyera në shifra, gjenerojnë miliardat e çmendura që humbasin ekonomitë e secilit vend të botës çdo vit. Humbjet nuk janë vetëm për 5 vendet e marra në analizë, por për çdo vend të botës. Projeksionet, në fakt, janë edhe më të frikshme, pasi tregojnë se, në vitet në vijim, fenomeni do të njohë një shtrirje edhe më të madhe. Në vitin 2030, projektohet që ekonomia amerikane të humbasë 456 miliardë dollarë, si pasojë e mungesës së gjumit. Shkaqet e pagjumësisë lidhen gjerësisht me stresin dhe mbingarkesën, kryesisht në punë. Studimi sugjeron që të ketë më shumë kontrolle dhe rregulla më strikte, sa i përket kontratave të punës, duke mos lejuar orë shtesë mbi normat e lejuara, apo dy turne me një pushim të shkurtër kohor njëri pas tjetrit. Ndër të tjera, nuk duhet lënë mënjanë fakti se, pagjumësia është edhe një patologji. Pra, në drejtim të shëndetit publik, qeveritë duhet të bëjnë përpjekje më të mëdha për të minimizuar problematikën, duke qenë se kostot janë tepër të larta, jo vetëm në ekonomi. Mungesa e gjumit në çdo cep të globit, dëmton punën, biznesin, e për rrjedhojë edhe ekonominë globale, pavarësisht se problemi nënvlerësohet. Mungesa e gjumit dëmton sistemin imunitar, rrit shanset për sëmundje infektive, shkakton mbilodhje dhe depresion, si dhe rrit rreziqet e vdekshmërisë.
“Japonia gjendet përballë një fenomeni, që po merr përmasa të frikshme dhe që tregon se papunësia e ulët nuk është gjithmonë e frytshme. Në këtë vend, norma e papunësisë është pranë nivelit më të ulët në 22 vite, në vetëm 3.1%”.
Në Japoni puna vret! 200 vdekje në vit nga mbilodhja
Siç e cituam edhe më lart, Japonia është vendi më problematik në këtë drejtim, duke qenë se në ishull, pagjumësia shkakton dëmin më të madh, në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto dhe jo në terma absolutë. Japonia gjendet përballë një fenomeni, që po merr përmasa të frikshme dhe që tregon se papunësia e ulët nuk është gjithmonë e frytshme. Në këtë vend, norma e papunësisë është pranë nivelit më të ulët në 22 vite, në vetëm 3.1%. Këtë normë e ëndërrojnë të gjitha vendet e botës, si ato të botës së zhvilluar, edhe ato të botës në zhvillim. Në Japoni, aktualisht ka 143 vende pune, për çdo 100 persona në kërkim të një vendi pune. Por, medalja ka edhe një tjetër faqe. Punëdhënësit kërkojnë orë të shtuara pune, deri aty sa fenomeni, i cili quhet “karoshi” është kthyer në një problem shtetëror. Termi “karoshi” tashmë është institucional dhe me vlerë ligjore, dhe i referohet vdekjes nga infarkti të një personi që ka kryer 80 deri në 100 orë shtesë pune, në muajin paraardhës. Për drejtësinë, “karoshi” cilësohet edhe vetëvrasja e një personi që ka bërë 100 deri 160 orë shtesë, për tre muaj me radhë. Për këtë arsye, qeveria japoneze po përgatit një reformë. Në bazë të reformës së re, nuk do të lejohen më shumë se 60 orë shtesë në muaj. Do të vendoset me ligj, edhe pushimi prej 11 orësh mes një turni dhe tjetrit. Aktualisht, japonezët që punojnë edhe 100 orë shtesë në muaj, janë të shumtë në numër. Mbilodhja dhe pagjumësia shkaktojnë rreth 200 viktima në vit në Japoni, duke e bërë vendin e parë në botë që e njeh ligjërisht problemin dhe që merr masa për ta parandaluar. Rreth 22.7% e kompanive japoneze, deklarojnë se, një pjesë e punonjësve të tyre punojnë më shumë se 80 orë shtesë në muaj. Gjatë vitit të kaluar, në Japoni, u regjistruan 1456 kallëzime penale, sa i përket fenomenit, tregojnë të dhëna zyrtare nga ministria e punës në vend, kryesisht në sektorin industrial. Kjo shifër është e barabartë me të gjitha rastet e regjistruara në katër vite, në harkun kohor 2004-2008. Në rast se gjykata vendos që vdekja e personit ka ardhur si pasojë e këtij fenomeni, atëherë familja e këtij personi dëmshpërblehet me 20 mijë dollarë në vit, mesatarisht. Agjencia Kombëtare e Policisë dhe qeveria, raportojnë se, mbilodhja në punë, që prodhon pagjumësi dhe depresion, ishte shkaktare e 2159 rasteve të vetëvrasjes, në vitin 2015.
Roel Korkuti/SCAN MAGAZINE
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.