Kostot e ndërtimit – Rritje e dobët edhe në tremujorin II

Kostot e ndërtimit të banesave po rriten me ritme të njëtrajtshme pothuajse prej një viti. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në tremujorin e dytë kostot u rritën për të tetin tremujor radhazi.
Krahasuar me tremujorin e dytë 2017, ndërtimi i banesave kushton 0.5% më shtrenjtë. E njëjta normë rritje ishte regjistruar edhe në tremujorin e parë. Ndonëse me ritme të ngadalta, kosto e ndërtimit po rritet në mënyrë të qëndrueshme që nga mesi i vitit 2016.
Rritja në tremujorin e dytë të këtij viti erdhi sidomos nga kostot më të larta të transportit, që ishin 2.3% më të larta krahasuar me një vit më parë. Kjo i detyrohet kryesisht shtrenjtimit të karburanteve. Ndërkohë, shpenzimet për paga në tremujorin e dytë u rritën me vetën 0.6%, nga 1.7% që kishte qenë rritja në tremujorin e parë.
Rritja e kostove megjithatë u zbut ndjeshëm nga ulja e çmimeve të materialeve. Për herë të parë që nga viti 2015, indeksi i kostove materiale pësoi rënie, me 0.8%.
Rritja e kostove në ndërtimin e banesave ngelet ende shumë e dobët për të ushtruar presione domethënëse në rritjen e çmimeve të shitjes, sidomos po të kemi parasysh marzhet e larta të fitimit në këtë sektor. Sipas Entit të Banesave, kosto e ndërtimit në Shqipëri është mes 32 dhe 33 mijë lekë për m2, ndërsa çmimi mesatar i shitjes së banesave në kryeqytet është mbi 700 euro për m2, ose rreth tre herë sa kostoja.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.