Kostot e zgjedhjeve, 34 milionë dollarë – Denaj: 2.42 miliardë lekë për identifikimin biometrik. Opozita: Fondi shumë I madh

Është shoqëruar me debate në Komisionin Parlamentar të Ekonomisë Akti Normativ i Qeverisë për mbulimin e shpenzimeve të KQZ për zgjedhjet e 25 prillit.
Detajet e Aktit Normativ u argumentuan në Komision nga Ministrja e Financave Anila Denaj, sipas së cilës, bëhet fjalë për një fond prej 2.42 miliardë lekësh për identifikimin biometrik të zgjedhësve dhe 1 miliardë lekë për procesin e votimeve në favor të KQZ.
Deputetët e opozitës kanë debatuar mbi shifrën shumë të lartë të vënë në dispozicion të procesit të identifikimit biometrik, i cili ka kaluar kufijtë e parashikimeve fillestare.
Më herët Qeveria ka akorduar edhe një fond prej rreth 1.3 milionë dollarësh që do t’i shpërndahen partive politike për përballimin e kostove të fushatës zgjedhore.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.