Kostot në ndërtim rriten me 0.4% në tremujorin e IV të 2016

Kostot e ndërtimit u rritën për të dytin tremujor radhazi, duke arritur sërish nivelet e fillimit të vitit 2015. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, kostot në ndërtimin e banesave në tremujorin e katërt 2016 u rritën me 0.4% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Pavarësisht se rritja është disi më e lartë, shifrat tregojnë se presionet për rritjen e kostove në ndërtimet rezidenciale ende janë të papërfillshme. Rritja, sado e përmbajtur e indeksit, po përcaktohet kryesisht nga grupi i shpenzimeve materiale.
Ato janë rritur për të katërtin tremujor radhazi, me 2.1 % më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Rritja ka ardhur sidomos nga shtrenjtimi i materialeve të ndërtimit, me 2.9% me bazë vjetore. Edhe sektori i ndërtimit po e ndjen efektin e rimëkëmbjes së çmimeve të lëndëve të para. Kostot e transportit ende kanë një kontribut negativ në indeks, por rënia po ngushtohet tremujor pas tremujori. Për tremujorin e katërt 2016, kostot e transportit ranë me 2.5%, nga 3.5% që kishte qenë rënia në tremujorin paraardhës.
Kundrejt një viti më parë, çmimet e karburanteve ngelen më të ulëta, por niveli i rënies po ngushtohet. Tjetër komponent i indeksit që regjistroi vlerë negative për këtë tremujor ishte ai i shpenzimeve për energjinë, që ranë 0.4% me bazë vjetore, po aq sa në tre tremujorët e mëparshëm.
Zëri i shpenzimeve për paga regjistroi një rritje vjetore me 1.2%, rritje kjo lehtësisht më e ulët krahasuar me tremujorët e mëparshëm. Rritja modeste e indeksit të kostos në ndërtim kufizon presionet për rritje të çmimeve të banesave nga krahu i ofertës, në një moment kur kërkesa për pasurive të paluajtshme ka dhënë shenja përmirësimi gjatë vitit të kaluar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.