Kostot në ndërtim – Rritje modeste edhe në tremujorin III
Kostot e ndërtimit u rritën për të pestin tremujor radhazi, megjithatë rritja ngelet në nivele mjaft të ulëta. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, indeksi i kostove në ndërtimin e banesave për tremujorin e tretë 2017 u rrit me 0.5% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë.
Për tremujorin e tretë, rritja është edhe më e ulët krahasuar me rritjen prej 0.8% të tremujorit të dytë. Ndonëse ende në vlera tejet modeste, kostot e ndërtimit po rritet në mënyrë të qëndrueshme që nga mesi i vitit të kaluar.
Rritja, sado e kufizuar, po përcaktohet kryesisht nga grupi i shpenzimeve materiale dhe nga një rritje më e lartë në shpenzimet për paga. Për tremujorin e tretë, kostot materiale u rritën me 1.3%, të shtyra sidomos nga një shtrenjtim i materialeve të ndërtimit.
Edhe shpenzimet e pagave regjistruan një rritje vjetore me 1.6%, rritja kjo sidoqoftë me e ulët krahasuar me rritjen e tremujorit të dytë. Elementi që po jep një efekt balancues në kostot e ndërtimit janë shpenzimet e transporti, që ngelen në vlera negative.
Indeksi i shpenzimeve për transport shënoi rënie me 1.4% në tremujorin e tretë. Megjithatë, rënia në këtë grup shpenzimesh po ngushtohet, për shkak të një rritjeje të ngadaltë në çmimet e karburantit.
Për momentin, rritja e kostove në ndërtimin e banesave është shumë e dobët për të ushtruar presione në rritjen e çmimeve të shitjes. Elementët e ofertës nuk duken ende përcaktues në treg, ndërkohë që agjentët sinjalizojnë një rritje të çmimeve sidomos në zonat periferike të kryeqytetit, ku edhe kërkesa është më e lartë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.