KQZ: 3 parti shkelën ligjin, nuk dorëzuan raportin financiar – Brenda nëntorit publikohen raportet e auditimit dhe monitorimit

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka dhënë sot sqarime lidhur me çështjen e financimit të partive politike dhe zbardhjen e të gjithë veprimtarisë financiare të fushatës zgjedhore në portalin e këtij institucioni.
Sipas KQZ, 3 subjekte politike kanë shkelur ligjin, duke mos dorëzuar raportet financiare, afati i fundit për të cilin ishte data 25 shtator. Këto 3 parti janë: Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet; Aleanca Arbnore Kombëtare; Sfida.
Ndërkohë, në faqen zyrtare të KQZ janë të publikuara raportet për fushatën të partive që kanë bërë depozitimin, ndërsa njofton se është në pritje të përfundimit të dorëzimit të raporteve të monitorimit financiar të fushatës dhe raporteve të auditimit financiar.
Brenda muajit nëntor, KQZ do të publikojë në faqen zyrtare të internetit sipas moduleve elektronike të mirëstrukturuara, edhe raportet e monitorimit të fushatës zgjedhore të ekspertëve financiarë dhe raportet e auditimit.
Këto raporte do të krahasohen më vonë me fondet e përfituara dhe të shpenzuara, të deklaruara nga vetë partitë politike, për të parë përputhjet dhe mospërputhjet. Nëse çdo subjekt ka pretendime në lidhje me të ardhurat e partive, shpenzimet e kryera, depozitat, llogaritë dhe transaksionet e padeklaruara, KQZ i fton t’i paraqesë bashkë me prova dhe fakte pranë zyrave të komisionit.
Rezultatet e verifikimit në lidhje me pretendimet e ngritura do të shqyrtohen nga KQZ si pjesë e raporteve përfundimtare të ekspertëve financiarë.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.