KQZ apel institucioneve: Mos përdorni burimet publike në funksion të fushatës zgjedhore!
Institucionet nuk do të lejohen të përdorin burimet shtetërore në nivel qendror dhe lokal në funksion të fushatës zgjedhore. Paralajmërimi ka ardhur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, përmes një shkrese zyrtare drejtuar institucioneve, ndërsa ka marrë shkas nga një ankesë e mbërritur ditët e fundit pranë këtij institucioni.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori një ankesë në datën 04.02.2019, që pretendonte përdorimin e paautorizuar të burimeve shtetërore në funksion të fushatës elektorale. Në veçanti, ankesa pohonte se disa institucione shtetërore kanë vendosur në faqet e tyre të internetit imazhe dhe slogane të përdorura në fushatë nga parti politike.”
Në këtë kuadër, KQZ u ka kërkuar të gjithë zyrtarëve ndërlidhës që institucionet shtetërore të heqin imazhe/slogane partiake nga faqet e tyre të internetit dhe të marrin masat e nevojshme që të mos përdorin burimet publike për fushatën zgjedhore.
“Neni 88 i Kodit Zgjedhor në mënyrë eksplicite ndalon përdorimin e burimeve të organeve publike në nivel qendror apo lokal në mbështetje të kandidatëve, partive politike apo koalicioneve zgjedhore.”
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.