KQZ-ja certifikon rezultatin e zgjedhjeve për Kuvendin e Kosovës

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka certifikuar rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës, të mbajtura më 11 qershor, raporton REL.
Në bazë të rezultatit përfundimtar, kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka konfirmuar se koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Partisë Nisma, ka fituar 39 ulëse në Kuvend, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar 32 ulëse, kurse në vendin e tretë është koalicioni i Lidhjes Demokratike të Kosovës me Aleancën Kosova e Re dhe Alternativën me 29 ulëse.
Nga komunitetet e pakicave kombëtare, prin Lista Serbe e cila ka fituar 9 ulëse, kurse Partia e Pavarur Liberale ka marrë një ulëse. Po ashtu, edhe komuniteteve jo serbe u janë ndarë 10 ulëset e garantuara.
Në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare në Kosovë, të drejtë vote kanë pasur mbi 1 milion e 800 mijë banorë, nga të cilët në zgjedhje dolën mbi 747 mijë votues apo 41.30 për qind e pjesëmarrjes.
Rezultatet përfundimtare kanë konfirmuar se koalicioni PAN ka marrë 34 për qind të votave, Vetëvendosje 27 për qind, ndërsa LAA 25 për qind.
Me certifikimin rezultateve i hapet rruga konstituimit të Kuvendit dhe Qeverisë së re të Kosovës. Në bazë të Kushtetutës, Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve.
Kuvendi konsiderohet i konstituuar pas mbajtjes së seancës së parë në të cilën bëhet verifikimi i mandateve të deputetëve, zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit dhe pesë nënkryetarëve.
Në bazë të rezultatit të zgjedhjeve, vetëm koalicioni i Partisë Demokratike të Kosovës, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës mund të propozojnë Kryetarin e Kuvendit. Pas konstituimit të Kuvendit, nisin dhe procedurat e formimit të Qeverisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.