KQZ, shpenzimet për zgjedhjet – Shpërblimet për KZAZ-të deri në 6.5 mijë lekë për kryetarët

Çdo shtetas shqiptar, i cili plotëson kriteret dhe që do të emërohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve si, kryetar, anëtar dhe sekretar i KZAZ-ve, do të shpërblehet nga buxheti i KQZ-së në bazë të kategorisë ku bënë pjesë, e cila varion nga 6.5 mijë lekë për kryetarët dhe zv/kryetarët e KZAZ-ve deri ne 6 mijë lekë për anëtarët e grupit të numërimit.
Në një intervistë për SCAN anëtari i KQZ Bledar Skënderi bëri publike masat e shpërblimeve për secilën kategori.
“Masat e shpërblimit janë të tilla, për kryetar, zëvendëskryetar së KZAZ-së është 6.5 mijë lekë. Masa për anëtarët dhe sekretarët e KZAZ-së është 6 mijë lekë në total. Ndërsa për kryetarin e komisionit të qendrës së votimit është 4 mijë lekë të reja. Gjithashtu për anëtarët dhe sekretarinë qendrës së votimit masa e shpërblimit është 35 mijë lekë. Edhe anëtarët e grupit të numërimin kanë një pagesë prej 6 mijë lekë të reja”.
Skënderi sqaroi se komisionerët që caktohen për angazhimin nga momenti i konstituimit deri në shpalljen e rezultatit përfundimtar të zgjedhjeve, nuk janë militantë dhe nuk financohen nga partitë politike por nga buxheti i KQZ.
Për zgjedhjet e 25 qershorit janë 90 KZAZ me nga 7 anëtar dhe 1 sekretar. Gjithsej në këtë proces do të angazhohen deri në daljen e rezultatit përfundimtar rreth 40 mijë persona.
KQZ ka miratuar më herët strukturën e shpenzimeve buxhetore, për zgjedhjet parlamentare të Qershorit. Shpenzimet kapin shifrën e 733 milionë lekë, ose rreth 6 milionë dollarë.
Zërin më i madh i shpenzimeve në buxhet janë pagat dhe shpërblimet e punonjësve. Ndërkaq, bashkë me pagesat për kryetarët dhe anëtarët KZAZ – ve, komisioneve të votimit, grupeve të numërimit, monitoruesve dhe bordit të medias, kosto totale e shpërblimeve është 216.4 milionë lekë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.