KQZ: Vetëm 5 parti politike nga 36 kanë dorëzuar raportin financiar të fushatës zgjedhore
KQZ i bën apel partive politike të regjistruara në zgjedhjet e 30 qershorit të dorëzojnë raportin për deklarimin financiar të fushatës.
Partitë politike pjesëmarrëse në zgjedhje kanë detyrimin që 60 ditë nga shpallja e rezultatit të zgjedhjeve të dorëzojnë pranë KQZ-së raport që përmban në mënyrë të saktë të ardhurat e përfituara apo që partia politike ka pasur në gjendje, të gjitha shpenzimet e kryera në mënyrë të detajuar, bilancin e pasurive apo detyrimet që ka partia politike, për periudhën nga caktimi i datës së zgjedhjeve deri në ditën e zgjedhjeve.
Në një deklaratë, zëdhënësja e KQZ-së, Drilona Hoxhaj është shprehur se: “Deri tani, nga 36 parti politike pjesëmarrëse në zgjedhjet e 30 qershorit, pranë KQZ-së e kanë dorëzuar raportin financiar të fushatës zgjedhore vetëm 5 parti politike”.
Brenda datës 26 nëntor audituesit ligjorë duhet të depozitojnë raportet e monitorimit të fushatës zgjedhore dhe brenda datës 16 dhjetor 2019 raportet e auditimit financiar të partive politike.
Zbatimi i ligjit nga subjektet politike është një nga faktorët kryesorë të rritjes së transparencës dhe zbardhjes së financave të partive politike gjatë fushatës zgjedhore, një nga çështjet e trajtuara gjerësisht edhe në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.