KQZ, Zguri i kërkon institucioneve të publikojnë rezultatet e hetimeve për krimin zgjedhor

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve i ka bërë thirrje institucioneve të angazhuara në procesin e zgjedhjeve të nxitojnë për të bërë publike rezultatet e punës së tyre.
Përmes një komunikimi zyrtar, ai iu drejtua Task Forcës të Këshillit të Ministrave për monitorimin e Zgjedhjeve, si edhe Departamentit të Administratës Publike, duke i nxitur të përmbyllin sa më parë procedurat e tyre të hetimit administrativ apo penal.
Sipas Zgurit shqiptarët presin sa më shpejt rezultatet e procedimeve penale për të gjitha veprat penale të kryera në fushën e zgjedhjeve.
“Qytetarët kanë nevojë ta shohin drejtësinë penale në fushën e zgjedhjeve në veprim dhe në lartësinë e ligjit. Pa lajme serioze, të besueshme dhe të qendrueshme nga organet e ndjekjes penale nuk mund të ringrihet besimi i publikut tek zgjedhjet”.
Ndërkohë, ditën e djeshme ka qenë edhe afati i fundit që partitë politike kishin për të ankimuar rezultatet e Tabelave Përmbledhëse të Rezultatit. Subjektet që zgjodhën të shfrytëzojnë këtë të drejtë të tyre janë Partia për Drejtësi, Integrim dhe Unitet, e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Tiranë, Partia Demokratike, e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Berat, si dhe Partia Socialiste e cila ka kontestuar tabelën përmbledhëse të rezultatit për Qarkun Tiranë.
Zguri beson se për shqyrtimin e këtyre kërkesave ankimore me shumë gjasa do të përfshihet edhe Kolegji Zgjedhor, institucion në të cilin “KQZ mbështetet plot besim”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.