“Kraft Heinz” heq dorë nga blerja e “Unilever” dhe e “fundos”
Nëpërmjet një komunikate për shtyp, gjigandi amerikan Kraft Heinz, i jep fund njëherë e mirë sagës që zgjati vetëm dy ditë, por që pati një impakt të madh në tregje dhe jo vetëm.
Kompania që ka si aksioner kryesor Warren Buffet njoftoi tërheqjen nga tentativa për të blerë Unilever, pasi kjo e fundit refuzoi ofertën fillestare prej 143 miliardë dollarësh.
“Marrëveshja do të gjeneronte më shumë dëme sesa përfitime”, nënvizon Kraft Heinz. Mjaftoi ky njoftim që, aksionet e britanikes Unilever të binin me të paktën 8% që në orët e para të sesionit të së Hënës.
Marrëveshja mes dy kompanive do të krijonte një gjigand absolut në tregun botëror sa i përket mallrave të konsumit, duke kontrolluar marka të njohura globale, që nga pastat e dhëmbëve e deri të akulloret.
Vetë kryeministrja britanike, Theresa May, gjatë fundjavës i kërkoi autoriteteve që të mbanin nën mbikëqyrje operacionin, i cili pa diskutim që do të kishte kosto në ekonominë britanike, duke pasur parasysh vlerën e tij.
3G capital dhe Barkshire Hathaway që kontrollojnë 50% të Kraft Heinz, nënvizojnë se, refuzimi i një transaksioni miqësor e ka bërë thjesht të pamundur ëndrrën për të bashkuar në një dy gjigandët.
Ekspertët shprehen se, tentativa dështoi pasi u bë publike shumë shpejt, duke argumentuar se strategjia e ndjekur nga Kraft nuk është e zakonshme, por se pavarësisht kësaj, Warren Buffet njihet për agresivitet në tregje.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.