Kredi lehtësuese në Tiranë – Skema e dytë e financimit, të ardhurat për afat 15-vjeçar

Bashkia e Tiranës ka rritur shanset për qytetarët që kanë nevojë për strehim në kryeqytet, duke ofruar dy skema financimi me kredi lehtësuese me normë të pandryshuar interesi në 3 për qind, ku pjesa tjetër subvencionohet nga ky institucion.
Përmes dy skemave të financimit, kredi me afat 20 vjeçar dhe 15 vjeçar, Bashkia u jep mundësi qytetarëve që nëse e tejkalojnë pragun e të ardhurave me skemën e parë, të mund të përfitojnë nga skema e dytë ku të ardhurat mujore duhet të jenë më të larta.
Kështu, me këtë skemë, një familje 1 deri në 3 persona duhet të kenë nga 49,238 lekë deri në 82,064 lekë të ardhura mujore, një familje me 2- 4 persona duhet të ketë 59,086- 98,477 lekë të ardhura, një familje me 4- 6 persona duhet të arrijë pragun e të ardhurave nga 78,782- 131,303 lekë në muaj dhe një familje mbi 5 persona duhet të ketë të ardhura në kufirin nga 98,477- 164,128 lekë.
Masa e përfitimit fillon nga 3.5 milion lekë, me të cilën financohet një apartament garsoniere, me trend rritës në varësi të numrit të anëtarëve të një familje deri në 7.1 milion lekë, për apartamente me strukturë 3+1.
Qytetarët përfitues janë individë mbi moshën 18 vjeç, që nuk kanë një pronësi në banesë apo që zotërojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit, dhe që zotërojnë të ardhurat e nevojshme për kreditim.
Formulari së bashku me dokumentet origjinale dorëzohen në zyrën e pritjes së qytetarëve në Bashkinë e Tiranës. Afati i fundit i aplikimit është data 8 Qershor 2017.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.