Kredi me garanci te BERZH/ Detajet e borxhit 70 mln euro të OSHEE
Operatori i Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike do të marrë një kredi 70 milionë euro te Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Marrëveshja e huasë dhe marrëveshja e garancisë, janë nënshkruar me BERZH-n në fillim të muajit shtator dhe kanë si qëllim sigurimin e fondeve në formën e kredisë me terma të favorshëm, për të mbështetur kompaninë për sigurimin e stabilitetit ekonomiko – financiar. Kredia ka një afat shlyerje 5 vite.
Në këtë marrëveshje huaje, shteti shqiptar ka rolin e garantit, çka nënkupton se nëse OSHEE nuk do të ketë mundësi të shlyejë kredinë, atëhere detyrimet e kredisë do të paguhen nga buxheti i shtetit.
“Shoqëria OSHEE gjatë vitit 2020 është përballur jo vetëm me situatën e thatësirës së jashtëzakonshme, por kësaj situate iu shtua dhe situata e Covid-19, e cila pati efekte shtesë negative në financat e OSHEE Group, sh.a.-së, duke e përballur shoqërinë me një situatë të paimagjinueshme më parë. OSHEE Group, sh.a.-ja, ka marrë menjëherë masa të jashtëzakonshme për përballimin e situatës, duke pezulluar totalisht planin e investimeve për vitin 2020.
Por këto masa zgjidhin situatën momentale të OSHEE-së për tejkalimin e situatës, por dhanë pasoja të rënda në stabilitetin teknik e financiar, si dhe arritjes së treguesve të saj, bazuar në planin e konsolidimit financiar të sektorit.
Nëpërmjet këtij financimi, OSHEE-ja jo vetëm siguron sa më sipër, por garanton që do ta përballojë me sukses ripagimin e kësaj kredie me fondet e aktivitetit të saj” shkruhet në relacionin e marrëveshjes së depozituar në Kuvend.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.