Kredia 28.7 milionë euro – FSHZH hap garën për Kaninën, 6 milionë euro
Një kredi e dhënë nga Banka për Zhvillim e Këshillit të Europës prej 28.7 milionë euro e dedikuar për “Zhvillimin e Alpeve dhe zonës Bregdetare” përfshin mes të tjerash edhe rrugën Vlorë-Kaninë.
Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka hapur garën për kompanitë e interesuara duke vënë theksin se projekti do të bashkëfinancohet nga qeveria shqiptare me 6 milionë euro.
Periudha për ndërtimin e rrugës do të jetë vetëm 6 muaj dhe synon që të rikonstruktojë rrugën e vjetër në një gjendje të degraduar totalisht.
Synimi sipas Fondit Shqiptar të Zhvillimit është që të rrisë asetet, të lehtësojë qarkullimin e banorëve në këtë zonë por edhe të vizitorëve që shkojnë për të parë kështjellën.
Afati i fundit për të dorëzuar shprehjet dhe interesit dhe ofertat nga ana e kompanive është 17 korriku 2017.
Paralelisht me këtë projekt është hapur edhe gara për gjetjen e kompanisë që do të mbikëqyrë punimet e cila gjithashtu do të ketë një afat 6 mujor për kontratën.
Vlora është përfshirë viteve të fundit në një seri investimesh që synojnë lehtësimin e aksesit sidomos në funksion të turizmit, por për disa prej tyre ka pasur zvarritje përfshirë këtu rastin e Bypass-it të Vlorës.
Nertila Maho/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.