Kredia më e shtrënguar – Por rritet kërkesa nga individët dhe bizneset

Kërkesa për kredi nga individët dhe bizneset është rritur në tremujorin e parë të këtij, por, oferta e bankave ka qenë disi më e shtrënguar krahasuar me tremujorët e mëparshëm. Sipas Vrojtimit të Aktivitetit Kreditues nga Banka e Shqipërisë, standardet e kredisë janë shtrënguar si për bizneset, ashtu edhe për individët.
Te bizneset, standardet e kreditimit janë shtrënguar kryesisht nëpërmjet marzheve më të larta për kreditë me rrezik, si dhe rritjes së kërkesave për kolateral. Sipas bankave, shtrëngimi ka qenë më i ndjeshëm për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Ndërkohë, kërkesa e bizneseve për kredi u raportua nga bankat më e lartë se në tremujorin paraardhës, e mbështetur si nga segmenti i ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ashtu edhe ai i ndërmarrjeve të mëdha.
Edhe për individët kërkesa për kredi është raportuar më e lartë, e mbështetur si nga kërkesa për kredi për blerje banese, ashtu edhe nga kërkesa për kredi konsumatore.
Por, ndërkohë, bankat kanë qenë më konservatore në standardet e aplikuara këtë tremujor. Shumica e tyre i kanë mbajtur ato të pandryshuara, ndërsa një bankë ka raportuar shtrëngim në segmentin e individëve. Në kahun shtrëngues të kushteve në miratimin e kredisë për individët ka vepruar vetëm rritja e kërkesave për kolateral.
Për tremujorin e dytë të vitit 2018, bankat presin një ngadalësim të aktivitetit kreditues, si në monedhën vendase ashtu edhe atë të huaj. Për të njëjtin tremujor normat e interesit të kredisë priten më të larta, si në lekë ashtu edhe në valutë.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.