Kredia për agrobiznesin – Bankat dhanë mbi 19 milionë euro vitin e kaluar

Sistemi bankar dha mbi 19 milionë euro kredi për sektorin e agrobiznesit vitin e kaluar. Të dhënat nga Shoqata Shqiptare e Bankave tregojnë se në këtë segment portofoli total i kredisë në fund të vitit 2019 arriti në rreth 110 milionë euro. Megjithatë, mbështetja e agrobiznesit përqendrohet më shumë tek agropërpunuesit, sesa te fermerët. Të dhënat tregojnë se kredia për bujqësinë prej shumë vitesh është në stanjacion. Kreditimi në këtë segment ngelet një sfidë, i lidhur me përmasat e vogla të fermave dhe eficiencën e kufizuar në prodhim, me rreziqet e larta dhe mungesën e sigurimit ndaj faktorëve atmosferikë, por edhe me mungesën e një pranie dhe ekspertize të lartë të bankave vetë në zonat rurale.
Aktualisht, bankat po marrin pjesë në skema garancie të qeverisë dhe institucioneve të huaja të zhvillimit për të mbështetur bujqësinë, me një vlerë totale rreth 24 milionë euro. Por, deri tani as këto skema nuk i kanë dhënë dot ndonjë hov domethënës kredisë për bujqësinë. Në mesin e këtij viti, portofoli i kredisë për bujqësinë kishte vlerën 4.9 miliardë lekëve ose afërsisht 40 milionë eurove.
Megjithatë, mbështetje e agrobiznesit me financime përbën sigurisht një mbështetje të rëndësishme edhe për bujqësinë. Kreditë në këtë segment përfshijnë kryesisht fabrika përpunimi të produkteve bujqësore ose pika grumbullimi, që janë pika referimi për thithjen në treg të prodhimit bujqësor vendas.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.